Shaqir Totaj- Ditët e Energjisë së Gjelbër 2022

Totaj: Trafiku në Prizren do të rregullohet me zhbllokimin e Transitit

Në konferencën e organizuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese  – BIRN në kuadër të aktiviteteve për “Ditët e Energjisë së Gjelbër”, Shaqir Totaj, kryetar i Komunës së Prizrenit tha se komuna që qeveris ka probleme të shumta ambientale.

Sipas Totajt, problematikë mbetet ndotja akustike nga lokalet në qendër të qytetit.

“Ne jemi duke punuar që të zbatojmë ligjin. Do të krijojmë një rregullore për menaxhimin e Shatërvanit, ku përfshihet edhe ndotja akustike. Ligji e përcakton se sa decibel duhet të jetë zhurma. Ne nuk do të kemi kompromise dhe të gjithë ata që nuk e respektojnë ligjin do të dënohen. Ndotja akustike është degradim i ambientit jetësor në Shatërvan dhe kjo vjen në shprehje shumë tash në kohën e verës”, ka thënë Totaj.

Gjithashtu ai ka thënë se ndotja nga trafiku në Prizren do të rregullohet me zhbllokimin e Transitit.

“Ne kemi premtuar që të bëjmë një studim të fizibilitetit për trafikun në Prizren. Ne kemi filluar me Qendrën Historike dhe kemi bërë një orar për hyrje-daljet në brendi. Nuk po respektohet në mënyrë precize. Ne mendojmë që zvogëlojmë numrin e makinave që do të lëvizin në qytet. Kjo do të bëhet me zhbllokimin e rrugës së Transitit dhe kjo do të rregullojë trafikun në Prizren”, ka thënë Totaj.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese  – BIRN më 19 maj ka organizuar konferencën e nivelit të lartë në kuadër të aktiviteteve për Ditët e Energjisë së Gjelbër.

“Ditët e Energjisë së Gjelbër” është një seri aktivitetesh që BIRN Kosova me partnerët organizojnë për herë të dytë në kuadër të projektit “Evropianizimi i Agjendës Mjedisore të Kosovës”.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.