Ramiz Lladrovci- Ditët e Energjisë së Gjelbër 2022

Ramiz Lladrovci: Problemet mjedisore të Drenasit i kam adresuar në Gjykatë

Në konferencën e organizuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese  – BIRN në kuadër të aktiviteteve për “Ditët e Energjisë së Gjelbër”, Ramiz Lladrovci, kryetar i Komunës së Drenasit, ka thënë se problematikë për komunën e Drenasit edhe më tej mbesin ujërat e zeza ndonëse, sipas tij, është punuar shumë në këtë drejtim.

Lladrovci thotë se tashmë është shtruar rrjeti pothuajse në tërësi dhe kanë mbetur vetëm edhe 6 kilometra.

Sipas tij, kjo nuk është zgjidhje sepse këto ujëra edhe nëse do të largohen nga Drenasi do të shkojnë në Obiliq për shkak të rrjedhës së ujërave.

“Të gjitha ujërat e zeza i kemi përfunduar dhe na kanë mbetur vetëm edhe 6 kilometra. Por a është zgjidhja kjo?! Unë do t’i heq të gjitha brenda Drenasit dhe do t’ia dërgoj Obiliqit, jo pse duam ne por ashtu është rrjedha. Ne kemi projekt për impiantin e ujërave të zeza, i cila e rehaton tërë komunën e Drenasit. Nuk është kryer impianti në Zonën Industriale në Drenas për shkak se një qytetar ka uzurpuar tokën. Ne i kemi adresuar këto në Gjykatë sepse nuk ka ligj që mund të ndalojë shtrimin e gypave për ujërat e zeza”, ka thënë Lladrovci.

Ai më tej ka thënë se si qeverisje janë sulmuar shumë për fabrikën e Ferronikelit dhe ndotjes së shkaktuar nga ajo. Ai ka shtuar se kjo fabrikë tashmë ka instaluar teknikën më miqësore ndaj ambientit dhe është duke respektuar standardet.

“Ne goditemi për fushat që fare nuk na takojnë. Komuna nuk jep as leje ambientale e as asnjë leje për Ferronikelin. Ferronikeli i respekton standardet dhe ka vendosur teknikën më të mirë për ruajtjen e ambientit me aq sa kam informacione. Tezat që një kompani i lëshon filtrat kur t’i teket është e paqëndrueshme sepse po t’i mbyllësh filtrat ajo do të eksplodojë. Unë jam i bindur që Ferronikeli i respekton standardet”, ka përfunduar Lladrovci.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese  – BIRN më 19 maj ka organizuar konferencën e nivelit të lartë në kuadër të aktiviteteve për Ditët e Energjisë së Gjelbër.

“Ditët e Energjisë së Gjelbër” është një seri aktivitetesh që BIRN Kosova me partnerët organizojnë për herë të dytë në kuadër të projektit “Evropianizimi i Agjendës Mjedisore të Kosovës”.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.