Ekipet e Kërkim Shpëtimit të FSK-së gjejnë trupin e pajetë të një personi të zhdukur
Forca e Sigurisë së Kosovës njoftoi të shtunën se ekipet e Kërkim Shpëtimit kanë gjetur trupin e pajetë të një personi të zhdukur me inicialet N.O..
Trupi i pajetë u gjet në rajonin e Podujevës.
“Pas marrjes së njoftimit nga Qendra e Situatave të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për një person të zhdukur, Forca e Sigurisë së Kosovës ka marrë të gjitha masat, duke angazhuar ekipet e Kërkim Shpëtimit Malor, ujor dhe K9 të Gardës Kombëtare, të cilat kanë punuar në koordinim me Policinë e Kosovës, gjithashtu të angazhuar në këtë operacion kërkimi kanë qenë një numër i madh i vullnetarëve” – njoftoi FSK.
“Pas kërkimeve intensive, sot ekipet e Kërkim Shpëtimit ujorë të FSK-së, kanë arritur të gjejnë trupin e pajetë të personit të zhdukur me inicialet N.O, në zonën në afërsi të lumit llap në fshatin Lupq i Poshtëm i komunës së Podujevës” – thuhet tutje në njoftim.
Pas evakuimit të viktimës trupi i pajetë është dorëzuar Mjekësisë Ligjore dhe Policisë së Kosovës për procedurat e mëtejme.