Edward P. Joseph: Shtetet e Bashkuara po krijojnë krizë në Kosovë

Nëse është dikush që mund ta kuptojë përplasjen e shëmtuar dhe të panevojshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, ai është Volodymyr Zelensky. Kërkojini presidentit ukrainas t’u japë rusëve etnikë autonomi dhe Zelensky do t’i shtrojë menjëherë tri pyetje: A do të pranojnë rusishtfolësit që të jetojnë në Ukrainë, jo në Rusi? A do ta njohë Rusia sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës? Dhe a do t’ia mundësojë Ukrainës përfundimisht dhënia e autonomisë anëtarësimin në NATO?

Paaftësia e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, siç aplikohet për Kosovën dhe Serbinë, është në themel të luftës vetëshkatërruese të pushtetit perëndimor me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Në vend që ta shikojnë autonominë në mënyrë strategjike – siç do ta bënte Zelensky, dhe siç bën presidenti rus Vladimir Putin – zyrtarët e administratës së Biden janë po aq dogmatikë sa kryeministri i Kosovës i cili ka provokuar zemërimin e Perëndimit.

Uashingtoni e ka përmbushur detyrimin e kahershëm të Prishtinës, të pranuar së fundmi nga Kurti, për ta krijuar një asociacion të komunave me shumicë serbe. E frustruar me kryeministrin e Kosovës për dështimin në paraqitjen e kushteve të tij për themelimin e asociacionit, dhe e zemëruar me operacionin e tij të fundit, të pamatur të policisë speciale në veriun e mbizotëruar nga serbët e Kosovës, administrata e Biden tashmë e ka ndëshkuar Kosovën dhe është gati t’a ndëshkojë edhe më tej. 

Duke hequr dorë nga presioni, Kurti deri më tani i ka hedhur poshtë kërkesat e SHBA-së dhe BE-së për ta tërhequr policinë speciale nga veriu, për t’i larguar kryetarët e komunave të instaluara së fundmi nga ndërtesat komunale dhe për të shkuar drejt zgjedhjeve të reja. Kurti këmbëngul që serbët të cilët e sulmuan NATO-n dhe policinë e Kosovës më 29 maj, fillimisht duhet të sillen para drejtësisë, si pjesë e planit pesëpikësh të kryeministrit për t’i ulur tensionet. Për të shmangur një bojkot tjetër serb të zgjedhjeve, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani – e cila kryesisht e mbështet linjën e Kurtit – ka propozuar që të paktën 20 përqind e votuesve ta nënshkruajnë një peticion për zgjedhje të reja.

Me kundërshtimin e tij, Kurti i ka zemëruar Shtetet e Bashkuara, aleatin më të rëndësishëm të Kosovës, e ka tjetërsuar popullsinë serbe të Kosovës dhe ka nxitur presidentin serb Aleksandar Vuçiq, ashtu si autokrati përballet me protesta të pashembullta të brendshme. Dëshira e Uashingtonit për të vendosur sanksione shtesë ndaj Kosovës është e kuptueshme.

Është po ashtu edhe një gabim i rëndë. Uashingtoni dhe Brukseli e ndajnë bashkarisht shumë fajin për krizën, duke përfshirë dhunën e paramenduar të ushtruar nga serbët kundër paqeruajtësve të NATO-s. Absurditeti i sanksionimit të një aleati demokratik në Prishtinë, ndërkohë që përshëndetet një autokrat manipulues, pro-rus si një “partner i mirë e më i mirë [SHBA-së]”, siç tha ambasadori i SHBA-së në Serbi Christopher Hill në një intervistë me shërbimin serb të Zërit të Amerikës do të duhej t’ia jipte një pauzë Sekretarit të Shtetit Antony Blinken.

Në vend që t’i japë mundësinë frustrimit që të udhëheqë politikën ndaj Kosovës, ose t’i japë mundësinë iluzionit për ta udhëhequr politikën ndaj Serbisë, Blinken duhet ta rishqyrtojë urgjentisht qasjen e administratës së tij. I bindur nga vartësit e tij, Blinken me sa duket ka nënshkruar një mirëkuptim me Vuçiqin. Mbështetja e Serbisë për Ukrainën përkthehet në butësi të SHBA-së ndaj Vuçiqit, i cili e ka ringjallur nacionalizmin “e Serbisë së Madhe” që e solli Beogradin në konflikt me fqinjët e tij dhe NATO-n në vitet 1990. Siç shpjegoi Hill në lidhje me ndihmën për Ukrainën, “kur njerëzit janë në anije, marrëdhëniet përmirësohen”. Kjo frazë tërheqë qëndrimin e administratës së Bidenit ndaj Serbisë.

Ajo që duhet ta shqetësojë Blinkenin është se Moska vështirë se duket e shqetësuar nga ndonjë prej arritjeve të administratës Biden me regjimin e Vuçiqit. Marrëdhëniet serbo-ruse vazhdojnë përballë përkundër votave simbolike dhe egoiste të Beogradit të lidhura me Kosovën kundër Rusisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Teksa armatimet moderne perëndimore e kthejnë valën e luftës kundër Rusisë, Kremlini i ka hedhur poshtë raportet – të konfirmuara nga Vuçiq – se municionet serbe të epokës sovjetike e kanë gjetur shtegun e tyre drejt Ukrainës. Narrativat pro-ruse, të organizuara nga Beogradi në kundërshtim me BE-në, e gjejnë shtegun e tyre në të gjithë Ballkanin.

Ndërkohë që Serbia diversifikon furnizimin e saj me gaz, Beogradi e ka dyfishuar naftën ruse. Nocioni se Vuçiq do t’i dorëzojë depozitat e litiumit të Serbisë në Perëndim duket fantastik tani që qytetarët serbë – shumë prej të cilëve i kundërshtojnë ashpër minierat e litiumit – janë mobilizuar kundër presidentit të tyre dominues. Alter egoja pro-ruse e Vuçiqit, shefi i inteligjencës, Aleksandar Vulin, sapo mori pjesë në një konferencë të madhe të sigurisë në Moskë, “duke sinjalizuar për qendrat e fuqisë perëndimore se Serbia ka një alternativë [ruse]”. Serbia mbetet vendi i vetëm evropian – përveç Bjellorusisë aleate të Kremlinit – që nuk e sanksionon Rusinë.

Çështja është se Putin beson se ai, jo Perëndimi, po fiton në Ballkan, me një kosto shumë të ulët. Nga këndvështrimi i Kremlinit, një trazirë në një rajon ku Shtetet e Bashkuara, BE dhe NATO kanë avantazhin strategjik është provë se administrata e Bidenit nuk di si ta ushtrojë pushtetin. Nëse Vuçiq – pa armë bërthamore apo rezerva masive të naftës dhe gazit – mund ta ngatërrojë Perëndimin, atëherë po ashtu edhe Putini. Moska e kupton se Kosova – jo energjia apo vëllazëria sllave ortodokse – është mundësues për marrëdhëniet serbo-ruse dhe për destabilizimin rajonal të nxitur nga Beogradi.

Me bindje gatise fetare, zyrtarët amerikanë e mbështesin autonominë serbe si gralin e shenjtë (sipas legjendës mesjetare, kupa ose pjata e përdorur nga Jezusi në Darkën e Fundit) për mbylljen e çështjes së Kosovës. Në realitet, dhënia e asociacionit për serbët e Kosovës – pa e avancuar njohjen e Kosovës nga serbët dhe nga aleanca e plotë e NATO-s – është një propozim shqetësues. Nuk është rastësi që Rusia gjithashtu e përkrah skemën e autonomisë serbe, në të njëjtën gjuhë ungjillizuese sikurse zyrtarët e SHBA-së dhe BE-së. “Themelimi i Bashkësisë së Komunave Serbe do t’i garantonte të drejtat, sigurinë dhe besimin në të ardhmen (për serbët në Kosovë),” deklaroi ambasadori i vjetër rus në Serbi Alexander Botsan-Kharchenko për agjencinë e lajmeve TASS në fund të muajit të kaluar.

Kremlini e kupton atë që Uashingtoni dhe Brukseli nuk e kuptojnë: Asociacioni i propozuar është një mjet për ta projektuar ambicien serbe, jo për t’i mbrojtur serbët e Kosovës. Vuçiq nuk dëshiron asnjë version të asociacionit në përputhje me sovranitetin, integritetin territorial dhe funksionalitetin e Kosovës. Pavarësisht garancive me shkrim nga zyrtarë të lartë të SHBA-së, Uashingtoni nuk ka treguar se mund ta bindë Beogradin që ta blejë një formë stabilizuese të autonomisë – edhe përgjatë linjave të paqarta të propozuara nga kryeministri shqiptar Edi Rama.

Përkundrazi, zyrtarët i bëjnë presion Kosovës që të negociojë jashtë propozimit serb për autonomi, edhe pse ata pranojnë se ai është jashtëzakonisht i papranueshëm. Vërtetimi i një pozicioni hapjeje shkatërrues është një grackë klasike negociuese. Në këtë rast, ndërmjetësuesit perëndimorë harrojnë se Vuçiq e ka përmbysur marrëveshjen Kosovë-Serbi të arritur më 18 mars, ditën kur BE-ja dhe SHBA-ja e shpallën atë si “ligjërisht të detyrueshme”, edhe pse presidenti serb refuzoi ta nënshkruajë të njëjtën.

As Shtetet e Bashkuara, BE, apo edhe NATO nuk duket se e kuptojnë rrezikun e vërtetimit të përsëritur të taktikave fizikisht destruktive serbe në veri të Kosovës. Ndërkohë që një oficer i KFOR-it të SHBA-së në terren po shkumonte si pasojë e sulmeve të 29 majit nga serbët, zyrtarët ofenduan Kurtin, duke e lejuar Vuçiqin t’ia hidhte paç. Kjo është e pafalshme duke pasur parasysh përdorimin e mjeteve shpërthyese të dizajnuara me kujdes që kërkojnë përgatitje, të cilat nuk mund të kishin kaluar pa u vënë re nga Beogradi.

Hill e fajëson në mënyrë rutinore Kosovën – një vend në të cilin ai nuk është i akredituar – ndërkohë që i injoron lëvizjet përndezëse të Beogradit. Në dhjetor, Vuçiq e quajti Kurtin “llum terrorist“. Në prill, Vuçiq e promovoi bojkotin e serbëve të Kosovës ndaj zgjedhjeve në veri, duke e etiketuar qeverinë e Kosovës si “pushtuese”. Me kërkesa zhvatëse, presidenti serb vazhdon t’i bllokojë serbët e Kosovës që t’i zgjedhin liderët e tyre.

Dimrin e kaluar, zyrtarët e SHBA dhe NATO-s i dhanë besim kërkesës së pacipë të Beogradit për të dërguar trupat e tij në Kosovë dhe i racionalizuan barrikadat kërcënuese të vendosura shpesh në veri të vendit. Në versionin aktual të sindromës së Stokholmit, zyrtarët perëndimorë, duke përfshirë një gjeneral të Gardës Kombëtare të Ushtrisë Amerikane, tani e konsiderojnë Vuçiqin si çelësin e stabilitetit, disa ditë pasi udhëheqësi serb i vendosi forcat e tij në gatishmëri të lartë dhe nuk arriti t’i parandalonte sulmet e serbëve ndaj ushtarëve NATO-s, duke nxitur një shtim të trupave të KFOR-it.

Nuk ka dyshim se Kurti, duke i injoruar thirrjet e qarta dhe të koordinuara të SHBA-së dhe NATO-s, është një lloj ndihmësi i dhunës. Fatkeqësisht, të tillë janë edhe negociatorët e SHBA-së dhe BE-së, të udhëhequr nga shefi i çështjeve të jashtme të BE-së, Josep Borrell. Në mars, BE dhe Shtetet e Bashkuara e lejuan Vuçiqin të largohej nga Ohri, Maqedonia e Veriut – vendi i negociatave kryesore midis Beogradit dhe Prishtinës – pa një zotim që serbët të kthehen në institucionet e Kosovës dhe të marrin pjesë në zgjedhjet për kryetar komunash.

Kjo mbikëqyrje çoroditëse i gjymtoi negociatat për autonominë, në të cilat përfaqësuesit e zgjedhur serb do ta luanin një rol kritik. Zgjedhjet e suksesshme do t’i kishin legjitimuar përfaqësuesit në sytë e të gjitha partive, duke përfshirë ato në Prishtinë, dhe do ta shënonin një kthesë nga largimi i hidhur dhe i prodhuar serb mbi targat e automjeteve në fund të vitit të kaluar. Pranimi i papritur i Kurtit i asociacionit u dha negociatorëve mundësinë për të bërë presion mbi Vuçiqin për këtë shfaqje jetike të mirëbesimit. Në vend të kësaj, Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja panë se si Beogradi po projektonte një bojkot të zgjedhjeve të 23 prillit në veri – të organizuara nga Kosova për lavdërim të SHBA-së – duke e krijuar terrenin për krizë.

Kërcënimet e maskuara me hollësi të SHBA-së për ta rrëzuar qeverinë Kurti lidhur me asociacionin – një taktikë e ashpër e përdorur edhe në vitin 2020 nga administrata Trump – e zymtësojnë dështimin e administratës Biden për të krijuar apo edhe për t’i kuptuar kushtet për ta arritur autonominë. Siç mund të zbulojë përfundimisht administrata në Ukrainë, autonomia është një çështje e statusit përfundimtar, që përfaqëson levën e fundit të një vendi të përballur me një fqinj armiqësor, irredentist siç është Rusia apo Serbia.

Fatkeqësisht, marrëveshja Bruksel-Ohër që Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja ia imponuan kryesisht Serbisë dhe Kosovës është vetëm e përkohshme për nga natyra. Kjo do të thotë se qasja perëndimore mbështetet në një kontradiktë: Kosova duhet të bëjë një koncesion të statusit final për autonominë, por Perëndimi mund të premtojë vetëm – në rastin më të mirë – progres në rritje në marrëdhëniet me Serbinë dhe me përpjekjen e Kosovës për personalitet të plotë ndërkombëtar.

Edhe nëse Prishtina i përmbush të gjitha obligimet e saj, duke përfshirë themelimin e Asociacionit, Kosova nuk ka asnjë garanci për kërkesat e saj thelbësore strategjike. Serbët e Kosovës mund ta ruajnë besnikërinë e tyre ndaj Beogradit dhe t’i sfidojnë autoritetet në Prishtinë. Serbia ende mund ta refuzojë njohjen de jure të Kosovës. Dhe, mbi të gjitha, Kosova mund të mbetet jashtë NATO-s – garancia unike e sovranitetit dhe integritetit territorial të Prishtinës zyrtare.

Rruga e Kosovës drejt aleancës së NATO-s mbetet e bllokuar nga katër anëtarë të NATO-s: Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja. Zyrtarët e Departamentit të Shtetit të SHBA-së, duke përfshirë Blinkenin, pohojnë se zbatimi i marrëveshjes së Ohrit do t’i mundësojë Uashingtonit të apelojë ndaj këtyre katër shteteve pengesë.

Në fakt, tri palët e vijës së ashpër—Bukuresti, Bratislava dhe Madridi—kapen pas pozicioneve të tyre për arsye që nuk kanë të bëjnë me sjelljen e Kosovës. Ka pak prova që Uashingtoni ka investuar shumë për t’i bërë këta akterë – të cilët e mbajnë çelësin e përparimit në të gjithë rajonin – të ndryshojnë mendje, qoftë edhe përkohësisht. Spanja dhe Sllovakia, për shembull, mund t’i kthejnë lehtësisht trupat e tyre në misionin e KFOR-it, i cili është status neutral. Madridi mund ta imitojë Bratislavën dhe ta hapë një zyrë ndërlidhëse në Prishtinë – një hap që do të shkonte larg për të siguruar Kosovën se autonomia serbe mund të shpie në anëtarësimin në NATO.

Në vend të kësaj, Spanja, së bashku me Rumaninë, votuan në prill kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Të njëjtën gjë e bëri edhe Serbia, duke i shkelur hapur detyrimet e saj në marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE. Pengimi flagrant karakteristik i Beogradit nuk i ka tërhequr asnjë nga kritikat e drejtuara ndaj Prishtinës për zvarritjen e saj sa i përket Asociacionit.

Me pak fjalë, do të duhen më shumë se sa sanksione të mira që Shtetet e Bashkuara të dalin nga kriza që Uashingtoni dhe Brukseli ndihmuan në që kjo krizë të bëhej. Pretendimi se Shtetet e Bashkuara kanë një partner në Beograd dhe një armik në Prishtinë, as nuk do ta zbusin ngecjen aktuale në veri dhe as nuk do të rezultojnë në stabilitet.

Pavarësisht agjendës së tij të furishme globale, Blinken duhet ta ushtrojë personalisht kontrollin mbi politikën e SHBA-së për Ballkanin. Si fillim, administrata e Bidenit duhet t’i disiplinojë ambasadorët e saj në rajon, duke i kufizuar ekskursionet e ambasadorit Hill në politikën e një vendi, Kosovës, që nuk i përket më Serbisë. Ndarjet midis ambasadave të SHBA-së në Beograd dhe Prishtinë e kanë tërhequr vëmendjen e partnerëve kryesorë të BE-së dhe e kanë minuar autoritetin e Blinkenit.

Në thelb, Blinken duhet të vendosë nëse çrregullimi rajonal dhe dëmtimi i besueshmërisë së SHBA-së ia vlejnë përqafimin nxitimthi e të pamenduar të një autokrati serb të refuzuar nga një pjesë e gjerë e popullsisë së tij. Në fund të fundit, Uashingtoni ka një model alternativ. Në Hungarinë fqinje, ambasadori i SHBA-së, David Pressman, ka dëshmuar se një qasje e fortë dhe e përqendruar te vlerat mund të arrijë shumë më tepër ndikim – mbi një autokrat shumë më të frikshëm – se çdo gjë që arrihet në Serbi.

Në vend të qortimeve të hartuara me ngut, Blinken duhet të mbajë një fjalim të konsideruar tërësisht mbi politikën e SHBA-së ndaj Serbisë, Kosovës dhe gjithë rajonit. Blinken duhet t’i rifokusojë vlerat demokratike si thelbin e politikës dhe partneritetit të SHBA-së me BE-në. Ai duhet t’i udhëzojë të dërguarit dhe ambasadorët e tij që t’ua përcjellin këtë mesazh liderëve ballkanikë, përfshirë Vuçiqin.

Blinken duhet ta ndjekë këtë fjalim me një vizitë – jo në rajon, por në Athinë, Bratislavë, Bukuresht dhe Madrid – katër kryeqytetet të cilat e mbajnë çelësin e avancimit të Kosovës, dhe rrjedhimisht strategjisë perëndimore, në rajon.

Blinken duhet ta mbyllë turneun e tij në Bruksel, me Borrellin dhe përfaqësuesin special të BE-së në rajon, Miroslav Lajçak. Blinken duhet t’u kujtojë këtyre diplomatëve se marrëveshja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës mban emrin e BE-së. Brukseli nuk mund të fshihet më pas vijës se është thjesht një lehtësues. Në vend të më shumë “paqartësive konstruktive”, Shtetet e Bashkuara dhe BE duhet të fokusohen në qartësi. Prioriteti urgjent është një sekuencë e çeliktë hapash që Kosova dhe Serbia duhet t’i ndërmarrin për ta zbatuar marrëveshjen, shumë më herët përpara fundit të vitit.

Në këtë mënyrë, Blinken do t’i largojë Shtetet e Bashkuara dhe BE-në nga konfuzioni dhe kriza, duke i dërguar një sinjal Moskës për vendosmërinë parimore për ta konsoliduar Ballkanin në Perëndim, përkrah Ukrainës./Foreign Policy

Edward P. Joseph ligjëron në menaxhimin e konflikteve në Shkollën Johns Hopkins të Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare. Ka shërbyer për disa vite në Ballkan, duke përfshirë shërbime ushtrinë amerikane dhe si Zëvendës Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.

Përgatiti: Nuhi Shala