Albin Kurti dhe Edi Rama, Foto: Qeveria e Kosovës

Kurti kushtëzon takimin me Ramën, kërkon paraprakisht mbledhjen e dy qeverive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ‘kushtëzuar’ takimin me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama me mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.

Kjo pasi që mbledhja e planifikuar më 14 qershor në qytetin e Gjakovës ishte anuluar njëanshëm nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Unë jam i gatshëm të takohem me kryeministrin Edi Rama në kuadër të mbledhjes së dy qeverive, jo pa atë mbledhje” – tha Kurti në konferencën për media sot.

“Unë miqësisht i kam kërkuar kryeministrit Rama që meqenëse do të vijë, do të qëndroj dy ditë e një natë në Prishtinë, që ta mbajmë edhe mbledhjen e dy qeverive e cila u anulua paarsyeshëm ndonëse ishte paraparë muaj më parë për datën 14 qershor në Gjakovë” – shtoi ai.

Kurti shtoi se për këtë mbledhje u patën bërë të gjitha përgatitjet dhe se 13 marrëveshje kanë pasur të nënshkruhen, e të cilat marrëveshje tashmë kanë ngelur në sirtar.

“Në mënyrë që këto marrëveshje të dakorduara të mos ngelen edhe më tutje në sirtarë, sepse nga to nuk përfitojnë kryeministrat përfitojnë qytetarët dhe çdo ditë e humbur pa i nënshkruar këto marrëveshje është dëm për qytetarët” – tha ai.

Ndër të tjera ai tha se i ka propozuar Ramës që meqë po vjen në këtë javë të mbajnë edhe një mbledhje të përbashkët të dy qeverive t’i nënshkruajnë marrëveshjet e planifikuara.

Ai tutje shtoi se e di që Rama do të vijë në një vizitë në Prishtinë në kuadër të turit ballkanik, tur i cili ka të bëjë me përgatitjen e samitit të radhës të Procesit të Berlinit që mbahet në mes të muajit tetor.

“Procesi i Berlinit është shumë i rëndësishëm dhe nuk ka në Ballkan lider politik dhe institucional sikur kryeministri i Kosovës që e ka mbështetur dhe vazhdon ta mbështes procesin e Berlinit” – tha Kurti.

“Por procesi i Berlinit, samitin e radhës në Tiranë e ka në mes të muajit tetor, tash jemi në fillim të korrikut, nuk është as në mes të muajit gusht, as shtator por tetor. Shumë mirë që bëhen këto përgatitje kaq herët, mirëpo përderisa i bëjmë këto përgatitje kaq herët, të mos vonohemi edhe më tutje në një anulim të paarsyeshëm të mbledhjes së dy qeverive andaj është për mua e nevojshme që ta kemi mbledhjen e dy qeverive” – tha Kurti.

Tutje Kurti tha se nuk lëngon raporti Kosovë – Shqipëri, por edhe demokracia, paqja e siguria në Ballkan pse nuk takohen kryeministri i Kosovës me atë të Shqipërisë.

Më 13 qershor, Rama kishte thënë se kishte kërkuar nga kryeministri i Kosovës një takim, por në një format më të ngushtë duke përfshirë ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes.

“E kam njoftuar Kryeministrin Kurti. Ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar, pasi kam folur me Josep Borrell, i kam kërkuar Albinit për tu takuar nesër në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e jashtëm dhe ata të mbrojtjes për të diskutuar lidhur me këtë situatë, e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me Bashkësinë Euroatlantike”- tha ai.

Kryeministri Rama deklaroi se nuk ka pasur një pajtim nga Kurti për ndryshimin e formatit të takimit.

Ai tha se shpreson që kjo të mos jetë përgjigja përfundimtare e kryeministrit Kurti.

Më 7 mars, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz kanë konfirmuar se në kuadër të Procesit të Berlinit, takimi i radhës do të mbahet më 16 tetor të këtij viti.

Kancelari Scholz në konferencën e përbashkët me kryeministrin Rama tha që për herë të parë punimet e këtij Samiti do të mbahen në një kryeqytet të Ballkanit Perëndimor.

Edi Rama anulon mbledhjen mes qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë