Edhe një i arrestuar për ryshfet me subvencione

Në Komunën e Pejës, Policia nga krimet ekonomike kanë arrestuar edhe një person për rastin, tashmë të njohur “Subvencionet 2021”.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar drejtori i Bujqësisë në këtë komunë, Mehdi Mulaj.

“Po, dje kanë qenë ata të hetuesisë na thanë që kanë për detyrë me shoqërua në Prishtinë, pra rasti ka ndodhur dje. Nuk na kanë thënë shumë detaje, as sot s’kemi naj informatë të re”, ka thënë ai.

KALLXO.com merr vesh se zyrtari i arrestuar në Komunën e Pejës është i përfshirë në rastin e “Subvencione 2021”. Ai dyshohet për marrje të ryshfetit.

Fotografime, përgjime telefonike dhe incizime në zyrat e Ministrisë së Bujqësisë, janë disa nga masat të cilat janë ndërmarrë nga Prokuroria gjatë hetimit në rastin “Subvencioni 2021”.

KALLXO.com iu sjellë detaje ekskluzive nga dosja hetimore duke filluar nga dyshimet për kërkim të parave e deri te dyshimet për planet për t`u korruptuar në të ardhmen.

Sipas dosjes së Prokurorisë të cilën e ka siguruar KALLXO.com, gjatë hetimit të këtij rasti janë vendosur përgjues të fshehtë në zyrën e drejtorit për pagesa direkte në AZHP, Luan Statovci.

Në këtë dosje thuhet se Statovci dëgjohet tek bisedon me të dyshuarin Sadat Shkodra, duke bërë plane se si t`i marrin paratë ryshfet të cilat ia kishin kërkuar aplikuesit V. K. Sipas Prokurorisë në këto përgjime dëgjohen edhe të dyshuarit Berat Nika dhe Hasan Maxharraj duke biseduar dhe treguar raste në të cilat kanë marrë para nga personat të cilët kanë aplikuar për subvencione, madje duke i përmendur edhe me emra.

Përgjimet në këtë zyrë sipas Prokurorisë shkojnë edhe më larg, pasi ata bëjnë plane që në vitin 2021 të marrin ryshfet nga 25 mijë euro për aplikues.

Në këtë dosje të Prokurorisë janë përshkruar një nga një shumat të cila dyshohet se personat në fjalë i kanë marrë e që sipas Prokurorisë janë zbuluar gjatë përgjimeve të telefonike.

Prokuroria pretendon se ka siguruar prova të fuqishme në këtë rast madje ka siguruar fotografi dhe incizime të momenteve të dorëzimit të parave.

Ekskluzive – Të dyshuarve në rastin ‘Subvencioni’ iu montuan mjete përgjuese në zyrë

www.kallxo.com