Në pjesën e rrethuar me të kuqe shihet shkuma që ia bllokonte oksigjenin zyrtarëve policorë që gjendeshin brenda autoblindës së Policisë. Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com/29.05.2023

Dyshohet se përdori shkumë për t’ua bllokuar oksigjenin policëve në protestat në Zveçan, 1 muaj paraburgim për të dyshuarin

Gjykata e Prishtinës i ka caktuar më 12.05.2024 një muaj paraburgim të pandehurit për kryerjen e katër veprave të ndryshme penale që dyshohet se u kryen më 29.05.2023 në protestat para objektit komunal në Zveçan.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar më 11.05.2024 për arrestimin e të dyshuarit S.M.

I pandehuri S.M. dyshohet se me një grup të dyshuar ka qenë pjesëmarrës i protestave të organizuara para objektit të Komunës se Zveçanit, duke sulmuar pjesëtarë të KFOR-it dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Gjykata ka thënë se i pandehuri dyshohet edhe se duke përdorur shkumë ka tentuar të bllokojë ventilimin e automjetit të blinduar të Policisë në të cilën në ato momente gjendeshin zyrtarë policorë.

“Qëllimi i të pandehurit ka qenë që këtyre zyrtarëve policorë t’ju ndalet furnizimi me oksigjen duke rrezikuar seriozisht jetën e zyrtarëve policorë, me çka nga veprimet e këtij të pandehuri përmbushën të gjitha elementet e veprave penale për të cilat dyshohet” – thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Në këtë njoftim u tha se S.M. dyshohet për kryerjen e veprave penale: Bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese; Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare; Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi, dhe veprën penale: Sulmi ndaj personit zyrtar.

Gjykata tha se gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.M.

Gjykata njoftoi se ka vlerësuar se ekzistojnë kushtet dhe arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale, veçanërisht rrezikshmërinë shoqërore të veprave penale, pasojat nga të cilat janë lënduar shumë pjesëtar të KFOR-it, zyrtarë policorë, gazetarë e qytetarë të tjerë.

Tutje në njoftim u tha se dëmet materiale të shumta nga djegia dhe dëmtimi fizik, tregon sipas Gjykatës mjaftueshëm se i pandehuri nëse lihet që të mbrohet në liri do të tentojë që të ndryshojë provat e veprës penale, duke ndikuar në të dyshuarit e tjerë të cilët gjenden të lirë si dhe dëshmitarët e tjerë eventualë.

“Po ashtu në rastin konkret ekziston edhe rreziku i ikjes së të pandehurit, i njëjti lehtë mund të arratiset duke marrë në konsideratë faktin se i pandehuri S.M është shtetas edhe i Serbisë dhe nëse lihet në liri, mund të arratisët, andaj në këtë rast caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe më se i arsyeshëm” – u tha tutje.

Kundër këtij aktvendimi në njoftim u tregua se palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore.

Një situatë e tensionuar mbizotëroi në maj e qershor të vitit të kaluar në komunat e veriut të Kosovës.

Në zgjedhjet që u mbajtën në prill të 2023-tës fitues dolën kryetarë shqiptarë, pasi komuniteti serb bojkotoi zgjedhjet.

E betimi i kryetarëve, që u bë në maj të vitit që lamë pas, u kundërshtua me protesta të dhunshme.

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të KFOR-it e edhe ekipe të gazetarëve mbetën të lënduar nga dhuna që ushtruan protestuesit.