I akuzuari Elmedin Raka, Gjykata e Prishtinës, seanca e shqyrtimit fillestar 11.06.2024, Foto: KALLXO.com
Dosja e Prokurorisë Speciale ndaj të akuzuarit për zjarrëvënie në Gjykatën e Kaçanikut: 'Elemente ideologjike radikale, urrejtje ndaj institucioneve shtetërore'
Rasti i zjarrëvënies në Gjykatën e Kaçanikut që ndodhi më 13.03.2024, është kualifikuar nga Prokuroria Speciale si rrezikim i rendit kushtetues përmes dëmtimit apo shkatërrimit të instalimeve /pajisjeve publike, e për këtë sot më 11.06.2024 para Gjykatës së Prishtinës ka dalë Elmedin Raka.
Sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari Elmedin Raka dhe i mituri T. B. të maskuar e kishin hapur me forcë derën e shkallëve emergjente të Gjykatës së Kaçanikut, dhe kishin hyrë në katin e dytë të objektit dhe përmes llozit – mjet i hekurt i kishin hapur dy zyre të gjyqtarëve dhe në secilën zyre i kishin vendosur dy shishe me lëndë djegëse.
I akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë për veprën e cila i vihet në barrë nga Prokuroria Speciale.
“Jo, absolut. I pafajshëm”- u shpreh i akuzuari para gjykatës kur u pyet nëse e ndjen veten fajtor, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja speciale Fikrije Zejnullahu.
Në këtë seancë, avokatja e të akuzuarit Fehmije Gashi- Bytyqi hoqi dorë nga e drejta për të kundërshtuar aktakuzën apo provat e Prokurorisë Speciale.
Ajo në seancë deklaroi se këtë po e bën për shkak të efikasitetit të procedurës dhe procedimit më të shpejtë të lëndës.
Tutje, avokatja Gashi- Bytyqi i kërkoi gjykatës që klientit të saj t’i hiqet masa e paraburgimit dhe të mbrohet në liri apo t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak.
Këtë propozim e kundërshtoi prokurorja Zejnullahu duke thënë se arsyet e kushtet në të cilat është caktuar dhe vazhduar masa e paraburgimit ekzistojnë ende.
Për heqjen apo lënien e masës së paraburgimit, Gjykata do të vendosë me vendim të veçantë.
I akuzuari gjendet nën masën e paraburgimit nga data 15.03.2024.
Ky rast fillimisht ishte hetuar si zjarrvënie nga Prokuroria e Ferizajt, kurse pas shqyrtimit dhe vlerësimit të provave, rasti ka kaluar përmes kompetencës lëndore në Prokurorinë Speciale të Kosovës, dhe po trajetohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës, me gjyqtar Kushtrim Shyti.
Dosja e Prokurorisë
Në dosjen e Prokurorisë Speciale përshkruhet se në dy zyre të Gjykatës së Kaçanikut ishin hedhur nga dy shishe me lëndë djegëse kurse në hymje të zyreve ishin vendosur nga një shishe, me ç’rast ishin shkatërruar zyret dhe koridori i Gjykatës.
Rasti kishte ndodhur rreth orës 03:42, sipas prokurorisë me dashje dhe me marrëveshjen paraprake të të akuzuarit Raka me 3 persona tjerë të mitur me inicialet T. B., M. R. dhe V. T.
Dy të miturit tjerë me inicialet M. R. dhe V. T, gjatë kësaj kohe, sipas Prokurorisë kanë bërë roje rreth Gjykatës, pastaj kanë ikur së bashku nga vendi i ngjarjes.
Përveç të akuzuarit Raka, Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamentit për të Mitur, shqiptimin e dënimit me burgim edhe ndaj të miturve.
Sipas Kodit të Drejtësisë për të Mitur, procedura penale ndaj të miturve është nën kompetencën territoriale të Gjykatës ku të miturit e kanë vendbanimin.
Menjëherë në vendin e ngjarjes kishin dalë ekipet e zjarrfikësve, të cilët rreth orës 04:40 e kishin lokalizuar dhe shuar zjarrin.
Prokuroria në aktakuzën e saj, ka përshkruar se pas shqyrtimit të provave materiale, në veçanti pas ekzaminimit të telefonit të të akuzuarit Raka, ka rezultuar se i njëjti ka elemente ideologjike radikale – vehabiste përmes të cilave shpreh urrejtje dhe mos-njohje të institucioneve shtetërore – respektivisht Gjykatës në Kaçanik.
Tutje, në këtë dosje, përshkruhet se i njëjti i kishte fshirë të gjitha komunikimet dhe regjistrimet e thirrjeve të ditës kritike, e kjo sipas prokurorisë krijon dyshimin e bazuar se i akuzuari i ka asgjësuar ato me qëllim të ikjes nga përgjegjësia penale.
Kjo prokurori ka marrë aktvendim për zgjerim të hetimeve në drejtim të vepres penale të rrezikimit të rendit kushtetues më datë 27.03.2024.
Vepra penale për të cilët ngarkohen këta persona penale hyn në kuadrin e veprave penale kundër sigurisë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Themelore e Ferizajt kishte njoftuar më 15.03.2024 se tre të miturit po dyshohen se ishin autorët e vënies së zjarrit në objektin e Gjykatës Themelore të Ferizajt, Dega në Kaçanik. Ndërsa pak më vonë ishte arrestuar edhe i akuzuari Raka.
Prokuroria Speciale më 07.06.2024 kishte njoftuar se ka ngritur një aktakuzë për këtë rast.
KALLXO.com kishte mësuar se gjyqtarët zyrat e të cilëve u dogjën nga zjarri, merren me çështje penale.