Dyshohet se për 11 mijë euro, mori me fajde 78 mijë euro, prokuroria kërkon paraburgim për Beqir Hoxhën

Prokuroria në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, të mërkurën, ka kërkuar caktimin e paraburgimit ndaj Beqir Hoxhës, i cili u arrestua për dyshimin e veprës penale fajdesë.

Prokurori i rastit, Petrit Kryeziu ka thënë se janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore që ndaj Hoxhës të caktohet masa e paraburgimit.

Kryeziu ka shtuar se nga data baza e të dhënave policore rezulton se i pandehuri ka një të kaluar kriminale, ku i figurojnë në 9 raste si i dyshuar kryesisht për veprat penale kundër jetës dhe trupit dhe kundër rendit publik.

“Referuar të lartcekurave, të gjitha këto rrethana tregojnë se me lënien në liri do të vazhdojë kryerjen e veprave dhe do të pengojë në rrjedhën e procedurës madje mund të kryeje edhe vepra të tjera penale” -deklaroi prokurori Kryeziu.

Kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, e ka kundërshtuar Valdet Hoxha, mbrojtës i të akuzuarit.

Avokati Hoxha po ashtu ka propozuar edhe masën e dorëzanisë.

Në lidhje me këtë gjykatësja e rastit, Ajser Skenderi do të marrë vendim.

Dosja e Prokurorisë

Gjendja e rëndë financiare dhe rimëkëmbja e biznesit kishin detyruar babë e bir që të kërkojnë para borxh me fajde.

11 mijë euro borxh u morën nga të dëmtuarit ndërsa u detyruan që t’i kthejnë gati shtatë fish më shumë për shkak të kamatave të cilat i kishte vendosur personi që ua dha paratë me fajde.

Dosja e Prokurorisë sqaron se nga muaji qershor 2016, deri në fillimin e hetimeve dhe në vazhdimësi, Beqir Hoxha me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit dhe prindit të tij (tani i ndjerë) pasi të dëmtuarit ishin në gjendje të rëndë financiare dhe u duheshin të holla për të investuar në biznesin individual-familjar.

Fillimisht dosja thotë se babai i të dëmtuarit në muajin qershor të vitit 2016 merr nga i pandehuri shumën prej 6 mijë euro dhe me rastin e dhënies së të hollave i pandehuri 600 euro i ndal në emër të kamatës mujore dhe e paralajmëron se për çdo vonesë duhet të paguajë nga 600 euro kamata mujore.

I dëmtuari nga viti 2016 e deri në prill të vitit 2023, në emër të shumës së marrë nga babai i tij prej 6 mijë euro, ka vazhduar të paguajë kamata mujore duke i dhënë në total shumën prej 49 mijë e 200 euro (49,200).

Sipas Prokurorisë, i gjendur në gjendje të rëndë ekonomike dhe duke mos arritur t’i paguajë shumat e kamatave, i dëmtuari merr nga i pandehuri Beqir Hoxha shumën e të hollave prej 3 mijë euro ndërsa nga i njëjti në muajin mars merr 2 mijë euro. I dëmtuari paralajmërohet nga i pandehuri se për çdo vonesë duhet të paguajë 500 euro kamata mujore.

I dëmtuari nga muaji mars 2018 e deri në muajin janar 2023 në emër të shumës prej 5 mijë euro, vazhdon të paguajë kamata mujore duke i dhënë në total të pandehurit 29 mijë euro.

Në total, sipas Prokurorisë, i dëmtuari paguan në emër të kamatave për të pandehurin shumën prej 78,200 euro.

Kur i dëmtuari nuk arrin t’i paguajë kamatat, i pandehuri e paralajmëron se përveç borxhit bazë të marrë në fillim, i dëmtuari për çdo vonesë duhet të paguajë nga 200 euro kamata ditore.

Me këtë, sipas Prokurorisë, Beqir Hoxha kishte për të kryer veprën penale – fajdeja.

Prokuror i rastit është Petrit Kryeziu.