Ilustrim

Dyshohet se dha 10 mijë euro për t'u regjistruar si shtetas i Kosovës, arrestohet qytetari nga Maqedonia e Veriut

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një qytetar të Maqedonisë së Veriut nën dyshimin se i kishte dhënë 10 mijë euro në këmbim të regjistrimit si shtetas i Kosovës në Komunën e Vitisë.

Sipas njoftimit zyrtar, i arrestuari A.R., 45-vjeçar, shumën e lartcekur e kishte paguar përmes një të dyshuari tjetër që është ende në kërkim policor.

Përderisa Policia ka thënë se në këtë rast është arrestuar edhe një person tjetër, M.D., 61-vjeçar, i cili dyshohet se ka kryer shërbimin e regjistrimit të kundërligjshëm.

“A.R., në këmbim të regjistrimit të tij si shtetas i Kosovës në Komunën e Vitisë, kishte paguar shumën prej 10 mijë euro përmes një të dyshuari tjetër i cili ndodhet në kërkim policor, me qëllim të regjistrimit të tij në sistemin elektronik të gjendjes civile, duke u pajisur kështu me dokumente personale si: certifikatë, ekstrakt të lindjes dhe letërnjoftim nga ana e të dyshuarit M.D.” – ka thënë Policia.

Tutje është treguar se ndaj të dyshuarit të parë është iniciuar rasti – dhënie e ryshfetit si dhe i është sekuestruar letërnjoftimi i Republikës së Kosovës, e po ashtu i është anuluar regjistrimi nga Drejtoria e Administratës/Sektori i Gjendjes Civile, Viti.

Ndërsa, ndaj të dyshuarit të dytë, i cili ka kryer shërbimin e regjistrimit të kundërligjshëm të të dyshuarit të parë, është iniciuar rasti  – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në njoftimin policor është thënë se pas aktvendimit të prokurorit kompetent mbi ndalim dy të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.