Dyshimet për mjet shpërthyes në QKUK, zyrtarët policorë largojnë një kuti nga vendi i ngjarjes - VIDEO

Ekipi i Forenzikës është larguar nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës ku po qëndronte, pas dyshimeve për mjet shpërthyes në objektin e Instituteve Paraklinike.

Në pamjet e KALLXO.com nga vendi i ngjarjes shihen zyrtarë policorë me një kuti në duke u larguar me automjete nga ambientet e QKUK-së.

Në vendin e ngjarjes ka qenë edhe ekipi i deminimit e njohur si njësia për trajtimin e mjeteve eksplozive.

Shiritat e Policisë që kanë qenë të vendosur në perimetrin ku dyshohej për mjet shpërthyes tashmë janë larguar, përderisa në afërsi nuk janë më as zyrtarët policorë.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka evakuuar personelin përreth dhe ka siguruar perimetrin e nevojshëm.

“Rreth orës 14:00 është pranuar informata për një mjet të dyshimtë, që dyshohet të jetë mjet shpërthyes, në klinikën e patologjisë, respektivisht institutin para klinik” – ka thënë për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Sipas tij, menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për tu siguruar nga rreziku i shpërthimit eventual, duke evakuuar personelin përreth dhe siguruar perimetrin e nevojshëm.

“Në vendngjarje po ashtu janë ftuar edhe ekipet e specializuara të Policisë së Kosovës për menaxhimin e mjeteve shpërthyese, të cilët aktualisht po vazhdojnë punën deri në pastrimin e plotë të perimetrit të siguruar nga ana e policisë”- ka thënë ai.

KALLXO.com ka kontaktuar me Policinë e Kosovës për të parë se çfarë është gjetur brenda objektit, mirëpo deri më tani nuk është marrë ndonjë përgjigje.