Dy zyrtarët e KEDS lirohen nga akuza për marrje ryshfeti

Gëzim Gashi dhe Bekim Thaçi, zyrtarë të KEDS-it janë liruar sot nga akuza për marrje ryshfeti.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Sami Sharraxhiu, nuk është provuar që të njëjtit e kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.

Prokuroria, sipas tij nuk ka vepruar sipas dispozitave ligjore lidhur me urdhrin për simulim.

“Urdhrin verbal nuk e ka konfirmuar e që është obligativ që në afat prej 3 ditëve t’i drejtohet gjyqtarit të procedurës paraprake me kërkesë për konfirmim të urdhrit verbal për zbatimin e kësaj mase”, tha gjykatësi Sharraxhiu, në seancën e sotme të mbajtur në Gjykatën e Pejës.

Ndërsa avokati Murat Krasniqi, është shpallur fajtor për veprën penale-frikësimi gjatë procedurës penale.

Të pandehurit Murat Krasniqi i është shqiptuar dënim me burg prej 1 viti dhe dënim me gjobë 200 euro.

Krasniqit iu shqiptua edhe dënimi plotësues-ndalimi i ushtrimit të profesionit prej 1 viti.

Prokuroria akuzonte dy zyrtarët e KEDS-it, Bekim Thaçin dhe Gëzim Gashin se kanë marrë 200 euro ryshfet nga i dëmtuari Feim Uka, pasi atij i kanë bërë presion me arsyen se është duke shpenzuar shumë energji elektrike.

Ndërsa, Murat Krasniqi akuzohej se duke qenë avokat i të pandehurit Thaçi, kishte tentuar të ndikonte të i dëmtuari Uka, që të ndryshonte deklaratën që kishte dhënë në polici lidhur me rastin.

Prokuroria pretendonin se të akuzuarit kishin shkuar në shtëpinë e të dëmtuarit Feim Uka, duke i bërë presion me arsyetimin se është duke zhvilluar biznes të paligjshëm për shkak të shumës së lartë të energjisë elektrike dhe për të mos lajmëruar në KEDS, kërkojnë nga ai shumën prej 200 eurove.

Aktakuza sqaron se i dëmtuari e lajmëron policinë dhe pas takimit me të pandehurit, secilit ia jep shumën prej 100 eurove dhe pasi të pandehurit i fusin të hollat nën karrigen e shoferit, arrestohen nga policia.

Ndërsa avokati Murat Krasniqi, ngarkohej me akuzën, se e kishte kanosur dhe i kishte ofruar shumën prej 1,000 eurove të dëmtuarit Uka, me qëllim që ta ndryshonte deklaratën e tij të dhënë në polici.

Morën apo jo ryshfet zyrtarët e KEDS, tregojnë versionin e tyre në gjykatë