Morën apo jo ryshfet zyrtarët e KEDS, tregojnë versionin e tyre në gjykatë

Në gjykatën e Pejës ka vazhduar gjykimi për ngjarjen e datës 3 dhjetor të vitit 2019, ngjarje kjo për të cilën po akuzohen dy zyrtar të KEDS-it dhe një avokat.

Prokuroria akuzon dy zyrtarë të KEDS-it, Bekim Thaçin dhe Gëzim Gashin se kanë marrë 200 euro ryshfet nga i dëmtuari Feim Uka, pasi atij i kanë bërë presion me arsyen se është duke shpenzuar shumë energji elektrike.

Ndërsa, Murat Krasniqi akuzohet se duke qenë avokat i të pandehurit Thaçi, kishte tentuar të ndikonte të i dëmtuari Uka, që të ndryshonte deklaratën që kishte dhënë në polici lidhur me rastin.

Gëzim Gashi e Bekim Thaçi, dhanë sot para gjykatës versionin e tyre për këtë rast penal.

Qe të dy thanë se detyra e tyre në KEDS është e kontrollorit, me saktësisht bëjnë evidentimin e humbjeve e keqpërdorimeve të energjisë elektrike.

Sipas Gashit e Thaçit, ditën kritike kanë pasur kontrollime rutinore në trafo-daljet e lagjes ku jeton i dëmtuari Uka.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të tij Gëzim Kollqaku, Gashi tha se ditën kritike te shtylla ku janë njehsorët e të dëmtuarit dhe vëllait të tij, ka dalë nëna e të dëmtuarit e cila i kishte kërkuar që mos ta shkëputnin energjinë elektrike.

Ngjarjen e ka përshkruar njëjtë edhe i akuzuari Bekim Thaçi.

“Gjatë bisedës, Bekimi i tha asaj gruaje, që me vonë kuptuam që ishte nëna e Feimit, se ne vetëm jemi për kontroll të keqpërdorimit të rrymës e jo për me e ndalë rrymën”, tha i akuzuari Gashi.

Ai tha se aty shumë shpejtë ka ardhur edhe i dëmtuari Feim Uka, i cili sipas të akuzuarit ishte ndalur me veturë në mënyrë të rreptë para këmbëve të tij.

Gashi tha se në bisedë e sipër me të dëmtuarin, ky i fundit ishte ankuar për shuma të larta të faturave të energjisë elektrike.

“Ai tha se faturat po i vinë të mëdha dhe i njëjti na tha se e ka edhe nxehjen qendrore, ne i thamë që pasi gjithçka rezultoi në rregull, shpenzimin e ke reale”, tha Gashi.

Po sipas Gashit i dëmtuari iu kishte kërkuar që të kontrollonin edhe të shtëpia e vëllait meqenëse edhe atij i vinin fatura në vlerë të madhe.

Ai tha se me të dëmtuarin ka biseduar edhe njëherë pas pauzës, dhe se Uka e kishte njoftuar se nuk ka mundur të gjejë çelësin e shtëpisë së vëllait.

“Kur u afruam të stacioni i trenit, nuk e di a e kom thirre unë Feimin apo Feimi mua, mirëpo paraprakisht në ora 14 ai me ka thirre mua, e tha i kom siguruar çelësat, a po vini. Unë i thash sot nuk mundemi, pastaj kur bisedova përsëri me të, më tha a po pret aty se andej jam duke ardh”, tha Gashi duke përshkruar momentet e ditës kritike.

Gashi tha se përderisa ishte ne veturën me Bekim Thaçin, kur ka arritur i dëmtuari, u kishte gjuajtur në veturë një shumë të të hollave.

“Erdhi shumë shpejtë, erdhi të vetura nga ana ime të shoferi, e më tha fola me vëllain e vendosem me ju qeras diçka. Unë i thash s’ke për çka, kur çdo gjë rezultoi në rregull. Aty e futi dorën në xhep e mori shumën e të hollave, e vlerën nuk e kemi ditë, e na gjuajti në veturë dhe u largua. Ne i tham’ prit, prit. Ai iku” tha ai.

Ai tha se aty menjëherë ka ardhur policia që i kishte arrestuar atë dhe Bekim Thaçin.

Gashi tha se me të dëmtuarin nuk ka pas asnjë mosmarrëveshje, vetëm se para disa viteve në shtëpinë e babait të të dëmtuarit, kishte konstatuar keqpërdorim të energjisë elektrike.

“Unë po dyshoj që kjo është krejt lojë e tij, si hakmarrje për atë rast”, shtoi Gashi.

Bekim Thaçi e Gëzim Gashi të dytë thanë se shumën e të hollave që i ka lënë i dëmtuari Feim Uka, nuk i kishin prekur asnjëri prej tyre, duke shtuar se kjo është vërtetuar edhe nga forenzika.

Bekim Thaçi po ashtu tha se ditën e ngjarjes kishin qenë në kontroll në lagjen e të dëmtuarit Feim Uka, dhe se atë personalisht nuk e njeh.

Ai rrëfeu para trupit gjykues si kishte rrjedh ngjarja, duke shtuar se nuk i kishin kërkuar të holla të dëmtuarit, e as nuk e dinë arsyen pse i dëmtuari kishte vepruar në atë mënyrë.

“Unë gjithnjë e kam pyetur policinë se për çka jam i arrestuar, policia më ka thënë se ju i keni thënë palës se je duke terur kanabis e mos me lajmëru që ai po terë (thanë) kanabis, ju ja keni kërkuar 200 euro”, tha Thaçi duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të tij Flamur Kelmendi.

“Unë i thash se nuk është e vërtetë që unë e Gëzimi i kemi kërkuar para, e garantoj jo vetëm për veti, por edhe për kolegun që nuk i kemi kërkuar para, sepse ne çdo herë kemi qenë punëtorët me të mirë në kompani”, shtoi ai.

Në anën tjetër prokurorja e rastit Sahide Gashi pyeti të akuzuarin se a është e vërtetë që ai e ka dërguar avokatin Murat Krasniqi për të ndikuar që i dëmtuari të ndërrojë deklaratën.

“Unë kam qenë në mbajtje me urdhërese tendën, qysh kom mujt unë me e dërgu, kjo më ka njollos shumë mua, pa asnjë arsye”, tha Thaçi.

Në seancën tjetër pritet që i akuzuari Murat Krasniqi të jap mbrojtjen e tij para trupit gjykues.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit shkojnë në shtëpinë e të dëmtuarit Feim Uka, duke i bërë presion me arsyetimin se është duke zhvilluar biznes të paligjshëm për shkak të shumës së lartë të energjisë elektrike dhe për të mos lajmëruar në KEDS, kërkojnë nga ai shumën prej 200 eurove.

Aktakuza sqaron se i dëmtuari e lajmëron policinë dhe pas takimit me të pandehurit, secilit ia jep shumën prej 100 eurove dhe pasi të pandehurit i fusin të hollat nën karrigen e shoferit, arrestohen nga policia.

Ndërsa avokati Murat Krasniqi, gjithashtu i akuzuar në këtë rast, ngarkohet me aktakuzë, se e kishte kanosur dhe i kishte ofruar shumën prej 1,000 eurove të dëmtuarit Uka, me qëllim që ta ndryshonte deklaratën e tij të dhënë në polici.