Dy rastet e reja me coronavirus janë nga Gjilani

Gjilani i është shtuar listës së qyteteve të Kosovës ku ka të konfirmuar raste me coronavirus.

Në njoftimin e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik thuhet se dy të konfirmuarit me coronavirus janë një 20 vjeçar dhe një 36 vjeçare me vendbanim në Gjilan.

IKSHP nuk ka dhënë detaje se rastet janë persona të ardhur nga shtete të jashtme apo kanë pasur kontakt me ndonjë të prekur tjetër.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com raportoi se rreth 60 mostra janë marrë nga personat të cilët kanë qenë të pranishëm në një aheng në Gjilan dhe kanë mundur të kenë kontakt me një person i cili ditë më parë doli pozitiv me COVID-19.

Gjithashtu IKSHP tregoi se vetëm sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR,  janë testuar 104 mostra të dyshimta për virusin SARS-CoV-2 dhe gjatë ditës  gjashtë prej tyre janë pozitive.