Dy punëtorë u lënduan në vende të punës dje në Kosovë

Dy raste të lëndimeve në vende të punës janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë.

Sipas raportit policor, një rast është raportuar në Prizren, ku punonjësi i një kompanie ka marrë lëndime trupore në punë dhe është dërguar për tretman mjekësor.

“Raportohet se viktima mashkull kosovar përderisa ishte duke punuar në një kompani, ka pësuar lëndime trupore. Viktima është dërguar për tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitë relevante policore dhe inspektori i punës, rasti vazhdon të hetohet” – thuhet në raportin e Policisë.

Një punëtorit tjetër në Ferizaj i kanë rënë disa skele sipër derisa ishte duke punuar.

Ai është dërguar për trajtim në QKUK.

“Raportohet se viktima mashkull kosovar përderisa ishte ne vendin e tij të punës, disa skele i kanë rënë sipër me ç’rast ka pësuar lëndime trupore. Viktima është dërguar në QKUK Prishtinë për tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitë relevante policore dhe inspektori i punës, rasti vazhdon të hetohet”- njofton Policia.

Në hulumtimin e “Trajtimi i rasteve të të drejtave të punëtorëve nga Inspektorati i Punës dhe i Gjyqësorit”, realizuar nga hulumtues të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), shpërfaqet niveli i ulët të sigurisë së punëtorëve në vendin e punës.

Në raport, hulumtimi i BIRN nga gjetur probleme dhe sfida në paaftësinë për të ulur numrin e aksidenteve në punë.

Si pasojë e aksidenteve në punë, nga viti 2011 e deri në gjysmën e vitit 2022 nga aksidentet në punë kanë vdekur 145 punëtorë. Të dhënat tregojnë që veprimet e institucioneve nuk kanë arritur të ndikojnë në uljen e vdekjeve pasi numri i vdekjeve është rritur vit pas viti.

Siguria në vendin e punës në Kosovë është e rregulluar me Ligjin për Shëndetin dhe Sigurinë në Punë. Ky ligj përmban rregullat dhe obligimet për parandalimin e rreziqeve profesionale, eliminimin e faktorëve të rrezikut dhe aksidenteve, informimin, konsultimit, pjesëmarrjes së balancuar në përmirësimin e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë, trajtimit të punësuarve dhe përfaqësuesve të tyre.

Hulumtimi i BIRN tregon se në bazë të të dhënave nga Inspektorati i Punës nga viti  2016 deri në vitin 2021 janë raportuar 787 aksidente në vendin e punës, prej të cilave, 78 kanë rezultuar me pasoja fatale për punëtorët.