Dushko Arsiq, i akuzuar nga Prokuroria Speciale për krime luftë kundër popullatës civile në Kosovë, Foto: KALLXO.com

Nuk e pranon fajësinë i akuzuari për krime lufte në Kosovë, Dushko Arsiq

Në bankën e të akuzuarit sot është ulur Dushko Arsiq, me nacionalitet serb,  i akuzuar nga Prokuroria Speciale për krime luftë kundër popullatës civile në Kosovë, në kohën e luftës së fundit në Kosovë.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Atdhe Dëma, i pandehuri nuk e pranoi fajësinë për veprat që i vihen në barrë.

“Nuk jam fajtor”- u përgjigj i akuzuari për krime lufte Arsiq.

Tutje mbrojta e të akuzuarit njoftoi gjykatën që do të parashtrojnë kërkesë për hedhje të aktakuzës ashtu siç parashihet me dispozita ligjore.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com Dushko Arsiq së bashku me pjesëtarë të tjerë të Policisë Serbe dhe grupe paramilitare, në periudhën e luftës më saktësisht në muajt janar-qershor 1999 ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Prishtinës.

Tutje të njëjtit kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, e më pastaj të njëjtave ia u kanë vënë zjarrin me qëllim të dëmtimit të tyre e po ashtu ka marrë pjesë në keqtrajtimin e shqiptarëve ku disa prej tyre i kanë plagosë e disa prej tyre i kanë vrarë, thuhet në aktakuzë.

“I akuzuari ka marrë pjesë në ekzekutimin e viktimave, tani të ndjerit B.SH., ashtu që me 20.02.1999 në fshatin Butovc, derisa viktima ka qenë duke ecur të njëjtin e kanë gjuajtur me arme automatike dhe pasi që e kanë goditur, e kanë urdhëruar të dëmtuarin A.K që në atë kohë ishte vetëm 15 vjeçar që trupin e B.SH. ta mbaj në shpinë”- thuhet tutje në aktakuzë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Dushko Arsiq në po të njëjtë datë dhe vendin e njëjtë fillimisht e ka ndalur të dëmtuarin A.K. që ishte 15-vjeçar, i akuzuari së bashku me ushtarët serb dhe paramilitarët urdhërojnë të dëmtuarin që të heq çantën që e ka pasur në shpinë e më pastaj i akuzuari i del prapa shpine dhe e godet të dëmtuarin me tytë të automatikut në pjesën e poshtme të shpinës.

“Pas goditjes të të akuzuarit i dëmtuari bie në tokë pastaj të njëjtit fillojnë ta maltretojnë, torturojnë dhe keqtrajtojnë fizikisht e psiqikisht. Pastaj i dëmtuari vëren dy persona tjerë të nacionalitetit serb të cilët i njeh, Dragan Niçiq dhe Boban (mbiemri nuk i kujtohet), e ku ku i dëmtuari i pyet që të dy ‘Pse bre kojshi kjo kshtu’, Bobani përgjigjet ‘Komsho bre komshija, gje je Amerika’ (Kujt bre fqinj, ku është Amerika, çfarë fqinji)”.

Sipas aktakuzës, me këto veprime i njëjti ka kryer veprën penale krime lufte kundër popullatës civile.