Drejtori i Policisë takon Kryeshefin e Telekomit, flasin për bashkëpunim

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka pritur sot në takim drejtorit e Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi.

Istrefi përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se në këtë takim është diskutuar për mundësinë e themelimit të bashkëpunimit me qëllim të fuqizimit të ndërsjellë ndërinstitucional.

“Racionalizimi, mbikëqyrja dhe forcimi i shërbimeve duke ofruar përkrahje të ndërsjellë, shfrytëzimin e kapaciteteve dhe avancimi i shërbimeve me interes të përbashkët, ishin disa nga temat që u shtruan në takim”, ka shkruar Istrefi.

“Telekomi është vlerë dhe pasuri e Kosovës. Ne jemi në shërbim të qytetarëve, duke ngritur besimin në shërbimet tona, profesionalizimin dhe respektimin e ligjit të institucionet, në veçanti, ngritjen e performancës dhe besueshmërinë për sektorët e ndjeshëm të shtetit tonë”, ka përfunduar ai.