Ilustrim

Dosja e Prokurorisë: Vrasja në Gjilan ishte e përgatitur

Një person me inicialet B.V., është ekzekutuar me disa plumba në qendër të Gjilanit.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmë në një kafiteri.

KALLXO.com ka arritur të sigurojë kërkesën për paraburgim për tre persona të cilët dyshohet se kishin përgatitur planin dhe kishin realizuar vrasjen e tashmë të ndjerit B.V. i moshës 50-vjeçare.

Sipas dosjes së Prokurorisë, tre të dyshuarit F.O., G.B., dhe I.V., mbrëmjen e kaluar rreth orës 19:45 pas një përgatitjeje paraprake dhe në bashkëveprim kishin shkuar në lokalin ku gjendej viktima dhe kishin shtënë më armë zjarri në drejtim të tij.

Prokuroria ka konstatuar se të dyshuarit kanë vënë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë të cilët e shoqëronin viktimën.

Nga të dyshuarit janë konfiskuar dy revole ndërsa sipas të dhënave të hetuesisë, viktima është qëlluar me më shumë se 10 plumba.

“Dy të pandehur kanë dalë nga makina të armatosur me armë zjarri më saktësisht revole, arrijnë te vendi i ngjarjes dhe me një largësi prej rreth gjysmë metri njëri nga të dyshuarit shtien me armë 8 fishekë ndërsa i pandehuri tjetër e godet me këtë rast tashmë të ndjerin me 9 fishekë në pjesët vitale të trupit”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Viktima B.V., pas këtyre plagëve sipas dosjes së Prokurorisë, vdes në vendin e ngjarjes ndërsa të dyshuarit pasi që dyshohet se kanë kryer vrasjen janë larguar me veturë të tipit “Audi” në drejtim të shtëpive të tyre.

KALLXO.com raportoi në lidhje me vrasjen që ka ndodhur mbrëmë në qendër të Gjilanit.