Foto: Ilustrim

Dosja e Prokurorisë: Personi që tentoi ta vriste policin në Pejë është një recidivist

Një 21-vjeçar është arrestuar gjatë ditës së sotme nën dyshimin se tentoi ta vriste një polic duke e goditur me veturë.

Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 18:00 në fshatin Ozdrim të Pejës përderisa i dyshuari A. Gashi, i cili aktualisht është ndaluar për 48 orë, pasi kishte kryer veprën penale ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

KALLXO.com ka siguruar aktvendimin për fillimin e hetimeve në këtë rast.

Sipas këtij aktvendimi, A. Gashi, i njohur edhe me nofkën “Uzdrimi”, është cilësuar si recidivist.

Aktvendimi shpjegon se sot në fshatin Ozdrim i dyshuari tentoi të privojë nga jeta personin zyrtar gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Dosja tregon se si derisa zyrtari policor ishte në detyrë zyrtare në vendin e lartcekur së bashku me kolegun e tij, e vërejnë veturën “Golf II” me afat të skaduar, të cilën e voziste i pandehuri dhe e sinjalizojnë me bateri që të ndalojë.

Tutje thuhet se i pandehuri pas sinjalizimit e rrit shpejtësinë në drejtim të zyrtarëve policorë dhe me pjesën e parë të veturës e godet njërin nga policët, të cilin e përplas përtokë.

Më pas i pandehuri e rrit shpejtësinë dhe arratiset nga vendi i ngjarjes. Ai veturën e kishte fshehur pas një mulliri gjersa vetë ishte larguar këmbë.

Policit me këtë veprim i pandehuri i shkakton lëndime trupore në kokë dhe pjesë të tjera të trupit.

Prokuroria në aktvendim ka thënë se i pandehuri dyshohet për vepër penale – vrasje e rëndë e mbetur në tentativë.