Ilustrim

Dosja e Prokurorisë: Pejani kërcënoi gruan se do ta mbysë me xhemper

“Kom me të mbyt dhe e di se për këtë do të shkoj në burg”, ishin fjalët e burrit në Pejë i cili, sipas Prokurorisë, tentoi ta vrasë gruan e tij.

Prokuroria në Pejë ka njoftuar se të dyshuarit i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji për vrasje të rëndë e mbetur në tentativë.

Duke dhënë detaje se si ka ndodhur rasti, Prokuroria ka njoftuar se i dyshuari ka tentuar të vras gruan e tij pasditen e së enjtes.

I dyshuari për këtë rast, rreth orës 16:30, brenda shtëpisë së tij, pas një mosmarrëveshje të vazhdueshme me gruan e tij, duke qenë nën ndikimin e alkoolit fillimisht ka goditur gruan e tij me shuplaka dhe grushte, në kokë dhe në trup.

Si pasojë, viktima ka pësuar lëndime trupore duke i thyer gishtin e mesëm të dorës.

Pas goditjes me grushte e shuplaka, i dyshuari e ka mbërthyer në fyt me lidhësen e xhemperit që gruaja e tij e kishte të veshur duke e shtrënguar dhe duke i thënë se “kom me të mbyt dhe e di se për këtë do të shkoj në burg”.

Në ato momente kishte ndërhyrë djali i tyre i cili kishte arritur ta largojë babain e tij, ndërsa nëna e tij kishte ikur nga shtëpia për të kërkuar ndihmë dhe kishte lajmëruar rastin në polici.

“Me këto veprime i pandehuri A.T., kishte për të kryer veprën penale vrasje e rëndë e mbetur në tentative, të cilit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji. Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.