Kuvendi po e shqyrton shkarkimin e Bordit të RTK-së

Kuvendi i Kosovës është duke shqyrtuar rekomandimin e Komisionit funksional për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës

Nënkryetarja e Kuvendit Saranda Bogujevci ka lexuar emrat e anëtarëve të Bordit ku sipas saj janë: Sali Bashota, Agron Gashi, Lirim Geci, Ilir Bytyçi, Albinot Maloku, Bajram Mjeku, Petrit Musolli dhe Fadil Miftari.

Kryesuesja e komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal Doarsa Kica, tha se Bordi i RTK-së ka dështuar të luaj rolin vendimmarrës dhe mbikëqyrës lidhur me auditimin e RTK-së.

“Opinioni ligjor i Kuvendit të Republikës së Kosovës i datës 04 qershor 2021 konfirmon se asnjëherë nuk kishte ndonjë dispozitë në kuadër të Ligjit për RTK që e kontestonte autoritetin e ZKA. Në bazë të shkresave është evidentuar kontestim i vazhdueshëm  i procesit të auditimit nga menaxhmenti i RTK-së. Bordi ka dështuar me luajt rolin vendimmarrës dhe mbikëqyrës sipas nenit 37 të ligjit për RTK-në duke amnistuar këtë situatë të pengimit të personit zyrtar”, tha ajo.

Kica tha se komisioni me 6 vota për vendosi t’i rekomandoj Kuvendit shkarkimin e anëtarëve të Bordit të RTK-së.

Sipas saj Kuvendi me shumicë të thjeshtë do të vendosë për shkarkimin ose jo të tyre.