Gazmen Salijevic nga ‘Romani Iniciativa’ mohon çdo lidhje me Listën Serbe

Partia rome ‘Romani Iniciativa’ ka reaguar pas deklaratës së kryetarit të Partisë Egjiptiane (PLE), Veton Berisha, i cili e ka akuzuar këtë subjekt për bashkëpunim me Listën Serbe.

Gazmen Salijevic, zëdhënës i kësaj partie si dhe kandidat për deputet, e ka mohuar të kenë ndonjë marrëveshje me Listën Serbe.

“S’kemi kurgjo me Listën Serbe, s’kemi marrëveshje asnjë kontakt me Listën Serbe, nga 38 komuna që janë në Kosovë në 36 prej tyre kemi marrë vota, kemi punu edhe jemi bind që me diskutu me romë, shqiptarë, boshnjakë, nuk po dojmë më hup energji me fol për këto sene”, tha ai.

I pyetur nga KALLXO.com se si e shpjegon faktin se ky subjekt ka marrë qindra vota në Ranilug, Leposaviq, komuna në të cilat nuk ka asnjë banorë të komunitetit rom.

“Kemi pasur shok, kemi pas të njohur që me votu për ne edhe nuk është kjo sistem komunist, ne kemi marrë vota edhe në Han të Elezit dhe Kaçanik. Na kemi promovu iniciativën dhe ashtu kemi marrë vota”, theksoi ai.

Salijevic ka mohuar kategorikisht mundësinë që në Kuvend të jenë pjesë e grupit parlamentar të Listës Serbe.

“Jo, jo, 100 herë e kemi thanë që jo. Do të këqyrim nëse hymë në parlament, besoj që do të ulemi me komunitetin boshnjak, turk e ashkali me fol. Tani do të folim edhe me zotri Kurtin për programin qeverisës. S’ka shancë me qenë me Listën Serbe”, tha ai.

Kryetari i partisë egjiptiane (PLE), Veton Berisha sot ka akuzuar partinë ‘Romani Iniciativa’ të komunitetit rom për bashkëpunim më Listën Serbe.

“Fillimisht, PLE e ka konsideruar këtë informatë si formë e fushatës parazgjedhore por pas rezultateve zgjedhore të publikuara nga KQZ në disa Komuna të Kosovës,  vërehet qartë se Subjekti Politik “Romani Iniciativa” është produkt i “Listës Serbe” sepse ky subjekt politik ka marrë një numër të madh të votave në vendbanime ku nuk jeton fare komuniteti rom”, ka thënë ai përmes një komunikate për media.

Në zgjedhjet e së dielës sipas rezultateve preliminare, Romani Iniciativa i ka marrë 3827, madje kjo parti ka marrë vota edhe në komuna ku nuk jeton asnjë banorë i komunitetit rom.

Edhe për iniciativën e Adrijana Hoxhiq pati akuza se kjo e fundit ka bërë marrëveshje me Listën Serbe për të fituar vota.

Në një intervistë dhënë për BIRN, Adrijana Hoxhiq, udhëheqësja e Nismës Qytetare (Ujedinjena Zajednica – Adrijana Hoxhiq, UZ-AH), hodhi poshtë pretendimet e bëra nga partitë e tjera boshnjake të Kosovës rreth parregullsive në zgjedhjet e së dielës.

Duke garuar për herë të parë në zgjedhjet parlamentare, UZ-AH fitoi 6,379 vota të dielën dhe kjo nismë duket se do të përfundojë si njësia politike më e votuar që garon për tri ulëset e rezervuara për komunitetin Boshnjak në Kuvendin e Kosovës.

Partitë e tjera që garojnë me UZ-AH përfshijnë Koalicionin Vakat, i cili aktualisht ka 5,672 vota, Nova Demokrastska Stranka, NDS, të cilët kanë marrë 2,763 vota dhe Socialdemokratska Unija, SDU, të cilët kanë 2,434 vota.

“Nuk është e vërtetë, nuk ka pasur marrëveshje mes meje dhe Listës Serbe. Këtë ua garantoj me siguri totale. Nuk e di kur jam takuar për herë të fundit me Goran Rakiqin, me siguri sa ka qenë ministër, ndoshta kemi pasur ndonjë bashkëpunim Komuna dhe z.Rakiq. Mos harroni se kryetar në këtë komunë është personi i cili i takon Listës Serbe dhe për mua është e domosdoshme të bashkëpunoj me personat që janë në këtë komunë”, tha ajo në KALLXO.com.

“Secila votë që e kam marrë, prej 6,379 vota, secila është për shkak të besimin në programin tim, asnjë nuk është e blerë dhe asnjë nuk është më presion të askujt”, shtoi Hoxhiq.