DKA Prizren: Ka përfundu viti shkollor dhe kemi pas nxënës që nuk kishte libra fare
Ka përfunduar intervistimi i drejtoreshës së Arsimit të Komunës së Prizrenit, Luljeta Veselaj- Gutaj në Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore për nxënësit e Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024.
Gjatë intervistimit të saj në Komisionin Hetimor parlamentar, drejtoresha Veselaj- Gutaj tha se ishin njoftuar përmes mediave se do të bëhej subvencionimi i blerjes së teksteve shkollore.
Sipas drejtoreshës Veselaj- Gutaj në Prizren ka pasur nxënës që e ka përfunduar vitin shkollor 2023/2024 dhe nuk ka pasur libra.
“Ka përfundu viti shkollor në Prizren dhe kemi pas nxënës që nuk ka pas libra fare” – ka deklaruar Veselaj- Gutaj.
Kryesuesi i Komisionit Hetimor parlamentar Shemsedin Dreshaj i ka thënë drejtoreshës Veselaj- Gutaj se informatat që i kanë për Komunën e Prizrenit në lidhje me procesin e subvencionimit të teksteve shkollore janë të mangta.
Si rrjedhojë, Dreshaj e ka pyetur në lidhje me problemet që kanë hasur gjatë procesit të furnizimit me libra, numrin e nxënësve nën moshën 6-vjeçare që kanë mbetur pa tekste shkollore dhe për mangësitë dhe përparësitë e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore.
Drejtoresha Veselaj- Gutaj kur është përgjigjur ka thënë se ka disa dëshmi me vete të nxënësve që nuk kanë pasur libra.
“Kemi një fëmijë për të cilin është kujdesur shkolla dhe komuniteti shkollor që t’ia sigurojnë ato libra… Shkolla “Lekë Dukagjini” e cila i ka listu me emër me mbiemër, fëmijët, prindërit që i kanë ble librat pa u bë rimbursimi” – ka thënë Veselaj- Gutaj.
Ndonëse u pyet për numrin e saktë të nxënësve që nuk janë rimbursuar për blerjen e teksteve shkollore në Prizren, Veselaj- Gutaj e ka pohuar se ka një numër në disa raporte, të cilat tha se do t’ia përcjellë me email zyrtar Komisionit.
Ajo u kritikua nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje të Komisionit Hetimor parlamenetar që nuk prezantoi një numër të saktë të nxënësve që nuk janë rimbursuar për blerjen e teksteve shkollore.
Tutje, Veselaj- Gutaj ka njoftuar se për disa prindër që kanë pasur probleme në aplikimin online në platformën e-Kosova për t’u subvencionuar për blerjen e teksteve shkollore, kanë bërë ekipe mobile në shkolla për t’u ndihmuar, asistuar, në lidhje me aplikimin për rimbursim.
Drejtoresha Veselaj- Gutaj u pyet edhe për stoqet e librave që kanë në shkollat e Prizrenit.
“Sa i përket stoqeve të teksteve të shkollave, prej viti 2022, ne nuk kemi pas stoqe në DKA dhe në shkolla” – ka thënë ajo.
Si përfundim, Veselaj- Gutaj ka treguar se është kërkesë e prindërve në Prizren që librat të jenë në shkollë dhe jo të furnizohen përmes metodës së subvencionimit.
“Kërkesa e prindërve në mënyrë anonime kanë pasur kërkesë që librat të jenë në shkollë për nxënësit dhe jo me rimbursim” – ka theksuar ajo.
Komisioni Hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore përbëhet nga: Shemsedin Dreshaj (kryesues), Ardian Kastrati (zëvendëskryesues) dhe anëtarët – Armend Muja, Arjeta Fejza, Mefail Bajqinovci, Mirlinda Tishukaj-Sadiku, Arbër Rexhaj, Bekim Haxhiu, Vlora Dumoshi, Agim Veliu, Duda Balje.
Të pranishëm në intervistimin e drejtoreshës Veselaj- Gutaj nga fillimi ishin: Armend Muja, Shemsedin Dreshaj, Mirlinda Tishukaj- Sadiku, Bekim Haxhiu, Agim Veliu pastaj u janë bashkuar: Arjeta Fejza, Arbër Rexhaj, dhe njëherë është parë Mefail Bajqinovci, por nuk ka vazhduar të qëndrojë në intervistimin e drejtoreshës Veselaj- Gutaj.
Përveç drejtoreshës Veselaj-Gutaj, në Komisionin Hetimor parlamentar do të intervistohen edhe drejtori i Arsimit të Ferizaj, Afrim Llabjani dhe drejtoresha e Arsimit në Gjilan, Albana Demiri.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci më 21.08.2023 kishte mbajtur një konferencë për media ku kishte treguar se po e shqyrtojnë mundësinë që paratë për blerjen e librave për vitin e ri shkollor t’ua transferojnë drejtpërdrejt prindërve përmes platformës e-Kosova me qëllim të rritjes së transparencës për shpenzimin e parasë publike.