Ditari, Foto: Freepik

Ditari i Gazës pjesa 11: Uji dhe energjia elektrike janë në minimum

Ziadi, një palestinez 35-vjeçar, e rrëfen një ditë tjetër në Gaza: evakuimet i dominojnë lajmet; uji dhe energjia elektrike janë në minimum

E enjte, 26 Tetor

Ora 11 paradite. Ahmedi dhe unë po kthehemi në shtëpinë e tij pasi kemi blerë ilaçe dhe ushqime kur shohim një grup macesh në tokën pranë vendit ku ai jeton. Ahmedi kthehet në dyqan dhe blen pak mortadella për t’i ushqyer.

Të gjitha macet po qëndrojnë në një distancë. Kur Ahmedi i hedh copat e mortadellave, ato vijnë, i marrin dhe ikin nga aty. Megjithatë, një mace na afrohet dhe është miqësore, por sa më shumë afrohet, aq më shumë tronditemi. Macja ka humbur njërin sy, është kafshuar në të gjithë veshët dhe ka shenja në të gjithë trupin e saj. Është e qartë se ajo është një kafshë shtëpiake që është braktisur.

Nipi i Ahmedit dhe dy mbesat na shohin, kështu që ata zbresin dhe fillojnë të na ndihmojnë për t’i ushqyer macet. Me sa duket, ata ia kanë dhënë secilës prej maceve një emër qesharak. Këtë, ata e kanë quajtur Manara, që do të thotë far. Më thonë se ajo është shfaqur vetëm pak ditë më parë, gjë që më bën të mendoj se pronarët e kësaj maceje kanë ikur me nxitim, ose ndoshta shtëpia e tyre është bombarduar. Ne luajmë me Manaran për një kohë dhe më pas shkojmë në shtëpi.

I tregoj motrës sime se çfarë ndodhi dhe pyesim përreth për të parë nëse dikush mund të ndihmojë, por në këto kohë askush nuk mundet. Ne jemi dakord të kujdesemi për macen duke i dhënë ushqim, në mëngjes dhe në mbrëmje. Megjithatë, nuk jam i kënaqur dhe sugjeroj ta mbajmë me vete derisa të gjejmë një vend të sigurt. Motra më thotë se është e vështirë ta bëjmë një gjë të tillë, pasi ne rrimë në një dhomë, në shtëpinë e dikujt tjetër dhe nuk jemi të sigurt se çfarë na pret e ardhmja, plus që tashmë kemi dy mace që janë prioriteti ynë dhe thjesht nuk mund ta marrim edhe një mace shtesë. Nuk mund të mos pajtohem me të, sepse gjithçka që thotë është e drejtë.

Ora 4 pasdite. Po përpiqem të fle, veçanërisht pasi nuk mund të flija fare gjatë natës për shkak të bombardimeve. Dëgjoj një trokitje në derë dhe gjyshja hyn dhe më thotë: “Ke një mysafir”.

Arritja në shtëpinë ku ndodhemi nuk është aq e lehtë. Përpara se të hysh, duhet t’i ngjitësh disa shkallë, pastaj të kthehesh disa herë dhe të ngjitesh në katin e parë.

Ngrihem dhe shkoj te dera dhe shoh macen Manara. Nuk mund ta besoj. A mos na përcolli ajo? Në asnjë mënyrë, e pamë orë më parë. Shkoj në dhomë dhe i kërkoj motrës që është duke biseduar me telefon ta mbyllë telefonatën dhe të vijë.

Kur motra ime del dhe sheh macen, ajo mbulon gojën me duar dhe fillon të qajë. E shikoj atë dhe i them: “Nëse kjo nuk është një shenjë, nuk e di se çfarë është”.

Jemi dakord, duke qëndruar aty te dera, ta marrim macen brenda dhe ta mbajmë me vete derisa të mbarojë situata dhe derisa t’i gjejmë asaj një vend të sigurt dhe njerëz të mirë për t’u kujdesur për të. I japim ushqim, motra ime përpiqet ta pastrojë dhe e shikojmë duke fjetur.

Motra ime përpiqet ta kontaktojë ndonjë veteriner në atë zonë. Meqenëse nuk jetojmë këtu, nuk njohim askë prej tyre. Pas shumë telefonatave, motra ia del ta kontaktojë dikë. Ai premton se do të përpiqet të kontrollojë macen. Shpresojmë që gjërat të shkojnë mirë.

Shikoj motrën time dhe them: “Kjo mace na është dërguar nga Zoti. Tani jam i lehtësuar”.

“Çfarë do të thuash?” ajo pyet.

“Dua të them, ndoshta kjo mace është mëshira që marrim për të na nxjerrë nga e gjithë kjo situatë. Dhe edhe nëse vdesim, do të vdesim me një notë të mirë … pasi kemi bërë diçka të mirë”.

Ora 7 pasdite. Dita sot ka qenë e tmerrshme. Dëgjojmë lajme për më shumë zona që evakuohen. Ka paqartësi gjithandej. Të gjithë vuajnë nga mungesa e energjisë elektrike dhe e ujit. Frika po rritet. Lajme të këqija kudo.

Mirëpo, thellë brenda, sot u ndjeva mirë sepse sot jemi birësuar nga Manara, fari ynë./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala