Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani
Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, Osmani: Dhuna ndaj grave, epidemi zemërthyese
Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se dhuna ndaj grave dhe vajzave është kthyer në një epidemi zemërthyese që shkatërron jetë dhe shkatërron ëndrrat.
“Ne duhet të jemi të palëkundur në angazhimin tonë për të garantuar drejtësi për viktimat dhe të punojmë pa u lodhur së bashku drejt një bote pa frikë, heshtje dhe diskriminim” – ka shkruar Osmani në rrjetin social X (ish-Twitter).
Ajo ka publikuar edhe fotografinë e objektit në të cilin ndodhet Zyra e saj, e cila është ndriçuar me dritë ngjyrë portokalli – që simbolizon një të ardhme më të ndritur pa dhunë për gratë dhe vajzat.
Tri ditë më parë, presidentja priti në takim Grupin Avokues për Mbrojtjen e Grave, nga i cili u informua nga afër për sfidat me të cilat përballen gratë në Kosovë.
Ky grup është grup jo-formal i përbërë nga 12 organizata jo-qeveritare, ku përfshihen organizata nga grupe të cenueshme, strehimoret në Kosovë si dhe ato të cilat kanë për qëllim angazhimin në promovimin e të drejtave të njeriut dhe parandalimin e dhunës në familje.