Foto: Presidenca e Kosovës

Presidentja takon Grupin Avokues për Mbrojtjen e Grave, informohet për sfidat e tyre në Kosovë

Presidentja, Vjosa Osmani u informua sot nga afër për sfidat me të cilat përballen gratë në Kosovë.

Ajo u informua nga Grupi Avokues për Mbrojtjen e Grave, i cili është grup jo-formal i përbërë nga 12 organizata jo-qeveritare.

Këtu përfshihen organizata nga grupe të cenueshme, strehimoret në Kosovë si dhe ato të cilat kanë për qëllim angazhimin në promovimin e të drejtave të njeriut dhe parandalimin e dhunës në familje.

Përmes këtij takimi, siç njofton Presidenca, Osmani u njoftua edhe për nevojën për plotësimin e vazhdueshëm të kornizës ligjore e cila garanton mbrojtje për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës mbi baza gjinore.

“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani është shprehur e hapur për bashkëpunim të mëtejmë dhe koordinim të ngushtë me organizatat në këtë drejtim dhe në fusha të tjera të cilat garantojnë mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të grave në vend” – thuhet në njoftimin e Presidencës.