Barrikada zubin potok

Barrikada në Zubin Potok, Foto:KALLXO.com

Dita e 13-të e barrikadave në veri, sot protestohet nga serbët në Rudarë

Në ditën e 13-të të vendosjes së barrikadave në veri, serbët kanë paralajmëruar protestë në ora 12:00 në Rudarë të Leposaviqit.

I ashtuquajturi ‘Shtabi i Krizave nga veriu i Kosovës’ që ka paralajmëruar, ka thënë se protesta do të jetë më e madhja popullore që ka ndodhur ndonjëherë, raporton media Kossev.

“Ftojmë popullin serb që jeton në Kosovë në protestën më të madhe popullore që ka ndodhur ndonjëherë, e cila do të mbahet të enjten më 22 dhjetor në ora 12:00 në Rudar te Kryqi” – citohet të jetë thënë nga shtabi në fjalë.

Që nga 10 dhjetori, rrugët që të çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak janë bllokuar nga barrikadat.

Vendosja e tyre erdhi pas arrestimit të ish-zyrtarit policor serb, Dejan Pantiq, i cili po dyshohet se ka kryer vepra penale terroriste dhe kundër rendit kushtetues.

Me vendosjen e barrikadave u mbyllën me vendim të Policisë së Kosovës edhe dy pikë kalimet kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjak, të cilat lidhin Kosovën me vendin e saj fqinj, Serbinë.

Pantiqit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve. Ai dyshohet që më 6 dhjetor 2022 ka organizuar sulmin ndaj zyreve të Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën Veriore, gjatë kohës kur zyrtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor nën shoqërimin e policëve po vendoseshin aty.

Qëllimi i vendosjes së këtyre zyrtareve ishte përgatitja për zgjedhjet lokale që ishin planifikuar të mbaheshin më 18 dhjetor 2022, e që më pas u shtynë deri më 23 prill 2023.

Tensionet në veri filluan të shfaqeshin një muaj para se të ndodhte sulmi në KKZ.

Më 5 nëntor 2022, në një mbledhje të thirrur të thirrur nga Lista Serbe, në të cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetëror nga komuniteti serb, u njoftua për largimin e tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror, lokal e gjyqësor. Kjo erdhi pas paralajmërimit të Qeverisë së Kosovës për fillimin e shqiptimit të gjobave për pronarët e veturave me targa ilegale. Për të cilën më pas u arrit marrëveshje në Bruksel.

Me tensionet e krijuara erdhën edhe sulmet ndaj zyrtarëve policor e edhe ndaj gazetarëve që po vazhdojnë të raportojnë çdo ditë në këto zona.

Më 8 dhjetor 2022, rreth orës 23:00, një veturë e Policisë së Kosovës derisa po patrullonte në fshatin Serbovc të Komunës së Zveçanit është sulmuar dhe nga ky sulm ka mbetur i plagosur një zyrtar policor.

Përderisa vetëm një ditë më vonë, në mëngjesin e 9 dhjetorit të këtij viti, ekipi i KALLXO.com është sulmuar nga persona të maskuar që po qëndronin pranë shkollës teknike në veriun e Mitrovicës.

Për largimin e barrikadave, Kryeministri i vendit, Albin Kurti, së bashku me udhëheqës të tjerë të shtetit, disa herë e kanë përsëritur që janë në pritje të KFOR-it.

E përsëritur ka qenë edhe deklarata që Policia e Kosovës ka kapacitetet e mjaftueshme për të intervenuar në largimin e barrikadave, madje për këtë u tha se edhe ekziston një plan i detajuar.

Në anën tjetër, KFOR nuk ka dhënë një përgjigje definitive se sa kohë i duhet për të filluar largimin e barrikadave, mirëpo kanë treguar se janë vigjilent e janë duke e monitoruar situatën.

Nga ky mision paqeruajtës u tregua dje se më 19 dhjetor kanë përfunduar stërvitjet e tyre që u bënë në Nosovsellë.

KFOR tregoi se kjo stërvitje u bë me qëllim për të trajnuar dhe testuar aftësitë e njësive të KFOR-it për të garantuar lirinë e lëvizjes duke përdorur mjetet në dispozicion, përfshirë këtu automjete të rënda logjistike dhe mjete inxhinierike.

Prezenca e KFOR-it është parë edhe në Jarinjë më 18 dhjetor.

Në po këtë datë, në këtë pikë kalim kufitar, në anën e Serbisë, dhjetëra serbë janë parë duke protestuar, me qëllim të mbështetjes së serbëve në Kosovë.

Protesta pati tensione në mes qytetarëve pjesëmarrës dhe zyrtarëve policorë serbë.

Gjatë protestës pati një arrestim, u gjuajt me mjete shpërthyese e madje edhe u tentua nga protestuesit që të kalonin nëpër vendkalimin kufitar në Jarinjë por të njëjtit u ndalën nga kordoni i Policisë Serbe.