Diskutime në KQZ për votat që vijnë nga jashtë Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka diskutuar propozimet e Sami Kurteshit anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili ka kërkuar që të krijohet një grup nga KQZ-ja dhe sekretariati ku janë përfaqësuesit e të gjitha partive politike që të përcillet posta që vjen nga jashtë për KQZ-në. Sipas Kurteshit, kjo kërkesë bëhet për të mënjanuar çdo mundësi të zvarritjes dhe vonesave të postës.

“E dyta unë propozova që KQZ-ja të merr vendim që posta të pranohet deri në ora 19:00 me, 13 shkurt 24 orë para përfundimit të afatit të votimeve”, tha Kurteshi.

Ndërkaq, anëtari tjetër i LV-së Alim Rama tha se adresa e fundit duhet të jetë KQZ.

“Kutitë duhet me qenë këtu me mbikëqyrje të policisë dhe të të gjithë vëzhguesve”, tha ai.

Burim Ahmetaj kryeshef ekzekutiv i sekretariatit të KQZ-së tha se sekretariati ka marr masa pwr tw komunikuar me postat e shpejta.

“Fahu postar në Postën e Kosovës, do të jetë kryesori dhe i fundit”, tha ai.

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në KQZ, Sami Hamiti tha se adresa e fundit edhe me postë të shpejtë edhe të rregullt është Fahu Postar numër 6.

Arianit Elshani anëtar i KQZ-së nga PDK tha se pret që në këtë çështje të respektohen ligjet dhe rregulloret.

Ibrahim Selmanaj anëtar i KQZ-së nga AAK tha se duhet të përcillen gjitha zhvillimet dhe zarfet të cilat vijnë.

KQZ-ja gjatë kësaj mbledhje ka miratuar edhe pikën e rendit të ditës: Tingulli i zgjedhjeve, logo dhe slogani që do të përdoret për zgjedhjet. Gjithashtu, është miratuar edhe dizajni i posterit.