Dhuna në Kuvend, Prokuroria ka thirrur Hekuran Muratin në cilësinë e të dëmtuarit, e Besnik Bislimin si të dyshuar

Për grushtet e dhunën fizike në Kuvend, ngjarje e cila u shënua gjatë ditës së djeshme, sipas prokurores kujdestare, Nebahate Salihu janë ftuar për intervistim katër persona.

Dy nga të thirrurit e prokurorisë janë nga Partia Demokratike e Kosovës e dy të tjerë nga Lëvizja Vetëvendosje.

KALLXO.com mëson nga burime brenda Prokurorisë se ministri i Financave, Hekuran Murati është ftuar si i dëmtuar për intervistim, ndërsa zëvendëskryeministri Besnik Bislimi si i dyshuar.

Bislimi e Murati, janë dëgjuar nga Prokuroria e Prishtinës gjatë ditës së djeshme pas grushteve që u shpërndanë në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Prokurorja e rastit, Nebahate Salihu, në një bisedë shkurt për KALLXO.com dje ka konfirmuar se deputetët nga Partia Demokratike e Kosovës, Mërgim Lushtaku dhe Hajdar Beqa do të dëgjohen ditëve në vijim.