Detaje rreth sulmeve të Pakistanit ndaj Iranit

Pakistani i ka ndërmarrë një seri sulmesh ushtarake ndaj atyre që tha se ishin strehimore të militantëve separatistë brenda Iranit, në incidentin e fundit përtej kufirit të tyre të përbashkët duke i rritur kësisoji tensionet mes dy fqinjëve.

Sulmet e reja nënkuptojnë se sikurse Pakistani ashtu edhe Irani kanë ndërmarrë tani hapin e jashtëzakonshëm për të’i sulmuar militantët në tokën e njëri-tjetrit këtë javë në një kohë të zgjerimit të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe në rajon më gjerë.

Operacioni i Pakistanit vjen një ditë pasi Irani tha se përdori “sulme me raketa precize dhe drone”, për të shkatërruar dy bastione të grupit militant sunit Jaish al-Adl në provincën jugperëndimore të Balochistanit të Pakistanit, sipas agjencisë së lajmeve Tasnim.

Islamabadi zyrtar ka thënë dje, të enjten, se forcat e tij filluan një “seri sulmesh ushtarake me saktësi të lartë të koordinuara dhe të shënjestruara në mënyrë specifike” në provincën juglindore të Iranit Sistan dhe Baluchistan si pjesë e një operacioni të quajtur “Marg Bar Sarmachar” – një frazë që përkthehet lirshëm në “vdekje për luftëtarët guerilë.”

Një “numër” militantësh u vranë gjatë operacionit, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Ministria e Jashtme e Pakistanit.

Teherani zyrtar, ndërkohë, kërkoi “një shpjegim të menjëhershëm” nga Pakistani për sulmet, njoftoi agjencia iraniane e lajmeve Tasnim duke cituar një zyrtar.

Zëvendësguvernatori i provincës Sistan dhe Baluchistan, Alireza Marhamati, tha në një intervistë në televizionin shtetëror se të paktën shtatë persona janë vrarë pas shpërthimeve dhe se të vdekurit përfshinin tri gra dhe katër fëmijë, të cilët ishin shtetas të huaj.

Sikurse Pakistani ashtu edhe Irani kanë luftuar për një kohë të gjatë me militantët në rajonin e trazuar Baloch përgjatë kufirit të tyre 900 kilometra, mirëpo incidenti i fundit shënon një përshkallëzim të madh midis dy fuqive fqinje dhe vjen ndërkohë që armiqësitë rajonale në Lindjen e Mesme po rriten mbi konfliktin e vazhdueshëm të Izraelit në luftën në Gaza.

Pakistani ka thënë të enjten se i kishte shprehur shqetësim Iranit në vitet e fundit për “strehët dhe vendet e sigurta” të luftëtarëve separatistë pakistanezë, të referuar si Sarmachar, që jetojnë brenda Iranit dhe se ata kanë ndarë prova për praninë dhe aktivitetet e militantëve në këtë rajon.

“Megjithatë, për shkak të mungesës së veprimeve për shqetësimet tona serioze, këta të ashtuquajtur Sarmachars vazhduan të derdhnin gjakun e pakistanezëve të pafajshëm pa u ndëshkuar. Veprimi i mëngjesit të sotëm u ndërmor në dritën e inteligjencës së besueshme të aktiviteteve të afërta terroriste në shkallë të gjerë”, ka thënë Ministria e Jashtme e Pakistanit.

Njoftimi zyrtar nga Pakistani thotë se “respekton plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës Islamike të Iranit” dhe se “objektivi i vetëm i aktit të sotëm ishte në ndjekje të sigurisë dhe interesit kombëtar të Pakistanit, i cili është parësor dhe nuk mund të rrezikohet”./CNN