Foto: Ilustrim
Detaje nga arrestimi i 14 personave nëpër “Call Center” në Prishtinë
Një aksion i Prokurorisë Speciale në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është zhvilluar mbrëmë në disa qendra të thirrjeve të njohura si ‘Call Center’ në disa lagje të Prishtinës.
Numri i të arrestuarve është gjithsej 14, përderisa një nga ta është shtetas i Izraelit dhe 13 të tjerët janë shtetas të Kosovës.
Siç njofton Policia, nga 13 kosovarët e arrestuar, shtatë nga ta janë burra dhe gjashtë të tjera gra.
Të arrestuarit dyshohen se përmes komunikimeve telefonike kanë arritur që të mashtrojnë persona të ndryshëm në vende të ndryshme.
Nga ky aksion i zhvilluar, si prova materiale Policia ka sekuestruar dy vetura, 167 kompjuterë, tre laptopë, 21 telefona mobil, dy DVR, dy HDD, dy USB dhe dokumentacion të ndryshme.
Në njoftimin e mbrëmshëm të Prokurorisë Speciale u tha se të arrestuarit dyshohen për hyrje në sisteme kompjuterike, mashtrim dhe shpëlarje të parave.
Siç kishte njoftuar Prokuroria, të dyshuarit përmes bizneseve të tyre që i kanë regjistruar si “Qendër të Thirrjeve” në Kosovë, kanë komunikuar me shtetas të ndryshëm përfshirë këtu edhe gjermanë.
Ky komunikim nga Kosova e në vendet e tjera u tha se është kryer përmes telefonit, ku të arrestuarit dyshohet se kanë arritur t’i mashtrojnë të dëmtuarit duke i shtyrë ata që të investojnë në platforma të ndryshme digjitale.
“Për realizimin e mashtrimit të dyshuarit kanë përdorur edhe sistemin kompjuterik – përdorimi i softuerëve për qasje nga distanca si dhe krijimi dhe përdorimi i faqeve në internet” – u tha në njoftim e Prokurorisë.
Siç u njoftua mbrëmë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, 14 të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Arrestohen 14 persona në aksionin në disa “Call center” në Prishtinë