Arrestohen 14 persona në aksionin në disa “Call center” në Prishtinë
Prokuroria Speciale ka njoftuar se 14 persona janë arrestuar gjatë një aksioni në disa qendra të thirrjeve të njohura si ‘Call Center’ në disa lagje të Prishtinës.
Në mesin e 14 të arrestuarve janë edhe dy shtetas të huaj.
Ata po dyshohen për hyrje në sisteme kompjuterike, mashtrim dhe shpëlarje të parave.
Sipas njoftimit thuhet se të dyshuarit kanë regjistruar si biznes “Qendër të Thirrjeve” në Kosovë dhe përmes saj kanë komunikuar përmes telefonit me shtetas të ndryshëm përfshirë edhe gjermanë.
“Gjatë komunikimeve kanë arritur t’i mashtrojnë të dëmtuarit duke i shtyrë që të investojnë në platforma të ndryshme digjitale gjoja për investime. Për realizimin e mashtrimit të dyshuarit kanë përdorur edhe sistemin kompjuterik-përdorimi i softuerëve për qasje nga distanca si dhe krijimi dhe përdorimi i faqeve në internet” – thuhet në njoftim.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, 14 personat e arrestuar dërgohen në mbajtje për 48 orë.
Po ashtu, në cilësi të provave gjatë këtij aksioni janë sekuestruar sende të ndryshme të cilat do të përdoren në procedurë të mëtutjshme: 2 vetura, 167 kompjuterë, 3 laptopë, 21 telefona mobilë, 2 DVR, 2 HDD, 2 USB memorie, dokumente të ndryshme dhe prova tjera elektronike relevante për rastin.