Të drejtat e punëtorëve, Inspektorati i Punës aksion në një “call center”
Nga fillimi i janarit KALLXO.com ka lansuar platformën për raportimin e shkeljeve të të drejtave të punëtoreve.
Nga kjo periudhë deri me tani janë paraqitur mbi 100 ankesa të punëtorëve për mosrespektimin e Ligjit të Punës.
Një numër i madh i punëtorëve në Kosovë llogaritet të punojë në bizneset e njohura si “call center”.
Një biznes i kësaj veprimtarie ka qenë cak i kontrollit nga Inspektorati i Punës.
Qëllimi i vizitës në këtë subjekt ka qenë verifikimi i respektimit të Ligjit të Punës dhe Ligjit për Mbrojtjen dhe Sigurinë në Punë.
Sipas Ligjit në secilin ambient të punës punëtorët duhet të kenë kontrata të punës në të cilat shënohen kushtet e punës përfshirë pagesën, ditët e pushimit, orarin e punës, pushimi mjekësor, pushimin e lehonisë e po ashtu procedurat disiplinore.
Rregulla të tjera përfshijnë kushtet e punës dhe sigurinë në punë.
Në këtë listë, Ligji parasheh pajisjen e punëtorëve me mjete mbrojtëse e një varg masash të tjera për sigurinë në vendin e punës.
Shkelja e këtyre rregullave është në kundërshtim me ligjin dhe bizneset që i shkelin rregullat mund të ndëshkohen mjaft rëndë.
Biznesi i cili ishte subjekt kontrolli nga Inspektorati i Punës nuk kishte pasur ndonjë vizitë kontrolluese në të kaluarën. Pamjet e këtij aksioni u shfaqën sonte në emisionin “KALLXO Përnime”.
Kontrolli përfundoi me konstatimin e disa parregullsive ligjore.
Kontratat e punës nuk janë në harmoni me Ligjin, organizimi i pauzës së punës në 10 minuta është në kundërshtim me Ligjin, puna gjatë vikendit nuk paguhet me kompensim shtesë, punëtorët nuk kanë certifikata mjekësore siç e përcakton Ligji.
Pasi i japin vërejtjet e nevojshme dhe kërkojnë dokumentet shtesë për verifikim të mëtejshëm, inspektorët mbyllin aktivitetin
Aksione të tilla janë shfaqur gjatë gjithë vitit në KALLXO.com.