Arrestohet 'mysafiri' i Kosovës në Shqipëri, dyshohet se mashtroi për hapjen e një 'Call Center'
Një 30-vjeçar nga Kamenica është arrestuar në Shqipëri, nën dyshimin se ka mashtruar dhe ka përfituar nga persona të ndryshëm një shumë të madhe të parave, me pretendimin se do të hapte një biznes “Call Center” dhe më pas do t’iu kthente paratë.
Ai dyshohet se ka përfituar 135 mijë euro nga një grua, por nga hulumtimet, Policia ka gjetur se ai ka përfituar edhe nga shtetas të tjerë të Shqipërisë.
Operacioni i quajtur “Mysafiri” ka filluar në vitin 2021 dhe është zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Tiranë.
“Ky shtetas dyshohet se nëpërmjet mashtrimit dhe shpërdorimit të besimit, ka përfituar shumën 135,000 euro nga një shtetase, me pretendimin se do t’i investonte në Call Center”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Tutje, thuhet se nga hetimet ka rezultuar se ky shtetas, nëpërmjet mashtrimit, ka përfituar shuma të ndryshme monetare, nga shtetas të ndryshëm në Republikën e Shqipërisë.