Arrestohen tre persona për mashtrim me 'Call Center' në Tiranë

Tre persona janë arrestuar në Tiranë nën dyshimin se kanë mashtruar shtetas të huaj përmes telefonit për të investuar në bursa fiktive.

Dy nga të arrestuarit ishin të punësuar në call center dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursa fiktive.

Ndërsa, personi i tretë i arrestuar iu kishte premtuar dy të arrestuarve, se do t’i mbronte nga Policia.

Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar: njësi kompjuterike, USB, aparate telefon, blloqe me shënime me të dhënat e shtetasve të mashtruar, si dhe shuma të ndryshme monetare të përfituara nga mashtrimet.