Ilustrim
Policia jep detaje për aksionin në 'Call center'
Policia e Kosovës ka njoftuar se edhe dje kanë vazhduar me aksionin për call center në rajonin e Prishtinës dhe Ferizajt.
Sipas raportit policor, në lidhje me rastin është raportuar se me 07.04.2021 janë kontrolluar katër lokacione të ndryshme, ndërsa në total (nga dita e operimit deri më sot) janë kontrolluar gjithsej 21 lokacione të ndryshme dhe janë sekuestruar si prova materiale: 9 vetura të ndryshme, 1,690,050.00 € kesh para, dhe 697,471.87 € janë ngrirë nëpër banka.
Aksioni ka filluar që nga 31 marsi 2021, dhe rasti po vazhdon të hetohet.
KALLXO.com ka siguruar dosjen në të cilën zbardhen detajet e skemës së organizuar, ku Prokuroria pretendon se punëtorët e kompanive të ndryshme, kanë mashtruar qytetarë gjerman, e që shuma monetare shkon deri në 4 milionë euro.
Sipas, dosjes së Prokurorisë 18 të arrestuarit, duke i kontaktuar nëpërmjet telefonit individët e interesuar në Gjermani, duke i mashtruar e njëkohësisht, duke i vënë në lajthitje me premtimet se do t’i siguronin të njëjtëve fitime të mëdha.
Ky personel i dyshuar ka bindur individët gjerman, që të kryejnë pagesa në llogari të kompanive të ndryshme e ndër to edhe kompani që ushtrojnë biznesin e shërbimeve telefonike apo Call-Center.