Dështon tentativa e tretë për të konstituuar Komisionin Hetimor parlamentar për rezervat shtetërore

Për herë të tretë , deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar ta konstituojnë Komisionin Hetimor Parlamentar për Rezervat Shtetërore. Në mbledhjen e së martës munguan sërish deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Rashit Qalaj ka akuzuar partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) që qëllimisht nuk është duke ardhur për ta bërë kuorumin.

“Në seancën e fundit ndodhi diçka që s’ka ndodhë ndonjëherë që Qeveria të mos përgjigjet pyetjeve parlamentare. Po bllokohet punë e këtij komisioni. Që nga 22 shkurti kur kemi filluar të diskutojmë në parlament pastaj kemi mbledh nënshkrime dhe kemi diskutu për keqpërdorime me rezerva shtetërore dhe tashmë e kanë pranuar edhe pozita dhe kryeministri qe mungon një pjesë e grurit”- tha Qalaj.

Sipas tij, “është evidente që po përpjekën të fshehin gjurmët, po do bëjmë përpjekje që ky komision të konstituohet”.

“Do e bëjmë nesër një tentativë të katërt që të konstituohet edhe pse jam i bindur që nuk vijnë”- tha tutje ai.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica propozoi që mbledhja e radhës të thirret të premten dhe ftesa të dërgohet sot.

“Mendoj që s’duhet ti caktojmë mbledhjet sot, që të jenë tri mbledhje njëra pas tjetrës dhe mbase i kujtohet dikujt të vjen. Mundemi me tri mungesa të pajustifikueshme t’i zëvendësojmë. Çdo diskutim në komision, cfarëdo pyetje që bëjmë, në momentin që dikush prej tyre del jashtë bllokohemi”- tha ai.

Qalaj bëri të ditur nga tani orarin e mbledhjeve që pritet ta ketë ky komision.

“Po vendosim pra që me i thirr mbledhjet prej 11:30 të premten, të hënën në ora 10:00 dhe të martën në 13:00.Unë ende shpresoj që ata do vijnë, do shohim në tentativën e radhës të premten. Nuk do mund të ndalët ky komision, hetimi do vazhdojë do gjejmë forma, Prokuroria e bën punën e vet”- tha ai.

Gjatë javës së kaluar ka pasur dy tentativa për konstituimin e këtij komisioni, i cili pritet të hetojë keqpërdorimet e prenderuara me rezervat shtetërorë në ministrinë e drejtuar nga Rozeta Hajdari.

Për këto keqpërdorime të raportuara në median online “Nacionale”, muaj më parë në këtë ministri janë arrestuar dy zyrtarë si dhe biznesmeni Ridvan Muharremi.