Dështon seanca ndaj 20 policëve kufitar, për shkak se njëri nga ta është aksidentuar në Serbi

Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj njëzetë policëve të cilët ishin përgjegjës për mbikëqyrjen e vijës kufitare në Zubin Potok, e të cilët nga Prokuroria Speciale po akuzohen se kanë lidhje me kontrabandë të mallrave ilegale në Kosovë.

Në janar të vitit 2019, emisioni “Drejtësia në Kosovë” kishte transmetuar filmimet ku në dy pika të karburanteve dhe në një dyqan mallrash në Leposaviq, rrjeti i policëve pranonin deri në 200 euro për të mundësuar rrugë të lirë për kamionët e kontrabandës.

Këtu mund ta shihni videon e dorëzimit të parave.

Seanca dështoi për shkak të mungesës së të akuzuarit Abdurrahim Haxhiq, derisa sot pritej që të jepeshin fjalët përfundimtare nga palët në procedurë.

Mungesën e Haxhiq, avokatja e tij, Albana Kelmendi e arsyetoi duke thënë që i njëjti kishte pësuar një aksident komunikacioni në Serbi dhe se gjendet në trajtim mjekësor.

Të akuzuar për këtë rast janë Zvezdan Spasojeviq, Bilana Nedelkoviq, Abdurrahim Haxhiq, Albert Maxhuni, Milija Milunoviq, Oliver Kuzmanoviq, Ramadan Mustafiq, Dejan Spasojeviq, Dragosh Kompiroviq, Jasna Durleviq, Zenel Bahtiri, Ali Pllana, Zoran Radunoviq, Reshat Kuçi, Vukadin Tomasheviq, Blagica Tomoviq, Lubisha Vujinoviq, Burim Merovci, Blagoje Lazoviq dhe Nebojsha Gogiq.

Ekipi i “Drejtësia në Kosovë” pas bashkëpunimit me qytetarë serbë kishte arritur që të faktonte kontrabandimin.

Në pamjet që kishte filmuar ekipi i “Drejtësia në Kosovë”, shihet se si kontrabandistët kontaktonin eprorët dhe zyrtarët policorë të pikave kufitare që t’i sigurohej lëvizja e lirë për kontrabandistët me qëllim që të kontrabandimit të mallrave të ndryshme si kafshë, derivate, pije alkoolike dhe joalkoolike si dhe mallra ushqimore nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas.

Në link shihen kamionët duke qarkulluar.

Hulumtimi i emisionit “Drejtësia në Kosovë” i titulluar “Lidhja e Policisë me Kontrabandën” kishte arritur që të dokumentoj se kontrabdandimi po ndodhte në ato zona dhe e tërë kjo ishte bërë përmes vendosjes së kamerave në pjesë të caktuara të udhëve ilegale që përdoreshin për kontrabandim.

Hulumtimin e emisionit mund ta ndiqni në këtë link.

Po ashtu, hulumtimi për kontrabandën u shfaqe në tri emisione, të dytin mund ta gjeni këtu dhe të tretin në këtë link.

Aktakuza fillimisht ishte ngritur ndaj 33 personave, shumica prej tyre zyrtarë policorë, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje e ryshfetit, kontrabandë me mallra dhe armëmbajtje pa leje.

Gjykimi tani është duke vazhduar vetëm për 20 persona, pasi që procesi ishte veçuar për 11 të akuzuar, përderisa K.S. (i cili ka ndërruar jetë) dhe një tjetër kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje.

Sipas Prokurorisë, 20 zyrtarët policorë kanë mundësuar që nëpërmjet rrugëve ilegale të bëhet kontrabandimi i mallrave të ndryshme si kafshë, derivate, pije alkoolike dhe joalkoolike si dhe mallra ushqimore nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas.

Pretendimet e prokurorisë janë se të dyshuarit kishin pranuar shuma të ndryshme të parave duke lejuar futjen e mallrave ilegale në territorin e Republikës së Kosovës, përmes rrugëve ilegale.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, të akuzuarit Zvezdan Spasojeviq, Bilana Nedelkoviq, Milija Milunoviq, Albert Maxhuni dhe Abdurahim Haxhiq që nga viti 2017 deri në vitin 2019, në vazhdimësi me të akuzuarin tjetër Dejan Vukashinoviq, në cilësi të personave zyrtarë kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit pasuror.

Zvezdan Spasojeviq në cilësinë e komandantit të stacionit, Bilana Nedelkoviq në cilësinë e udhëheqëses së ndërrimit, si dhe Milija Milunoviq, Albert Maxhuni dhe Abdurrahim Haxhiq në cilësinë e policëve patrullues në kuadër të ndërrimit “A” të SPMK në Zubin Potok, derisa kanë qenë në detyrë zyrtare duke mbikëqyrur rrugët e brezit kufitar kanë lejuar dhe mundësuar që nëpërmjet rrugëve ilegale të bëhet kontrabandimi i mallrave të ndryshme si kafshë, derivate, pije alkoolike dhe joalkoolike si dhe mallra ushqimore nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas.

Sipas aktakuzës, Dragoslav Igrutinoviq, Boban Radojkoviq, Dalibor Gjukiq, Milan Radisavleviq, Milojko Radisavleviq, Zoran Vukmanoviq akuzohen për marrje ryshfeti, pasi që kalimin e automjeteve me mallra kanë pranuar shuma të ndryshme të parave me qëllim të shmangies së kontrollit dhe tarifave doganore.

Prokuroria pretendon se për çdo automjet të akuzuarit kanë përfituar shumën prej 20 euro deri në 150 euro, të cilat janë ndarë edhe me policët e atyre ndërrimeve.

E gjithë kjo për t’i mundësuar vetes përfitim pasuror të kundërligjshëm, me ç’rast i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material buxhetit të Kosovës.

Të akuzuarit e tjerë Oliver Kuzmanoviq, udhëheqës i ndërrimit “B”, Z.R. udhëheqës i ndërrimit “C”, N.G. udhëheqës i ndërrimit “D” të stacionit të SPMK në Zubin Potok së bashku me Ramadan Mustafiqin, Dejan Spasojeviqin, Dragosh Kompiroviqin, Jasna Durleviqin, Zenel Bahtirin, Bozhidar Milosavleviqin, Ali Pllanën, Krsto Subotiqin, Reshat Kuçin, Vukadin Tomasheviqin, Blagica Tomoviqin, Lubisha Vujinoviqin, Burim Merovcin dhe Blagoje Llazoviq në cilësi të policëve patrullues në kuadër të këtyre ndërrimeve, po akuzohen nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe për marrja ryshfeti.

Tutje në aktakuzë thuhet se Milazim Januzi, Nezir Bilalli, Besnik Morina, Jeton Morina dhe Sabri Isufi kanë udhëtuar për në Serbi për t’i blerë kafshët, e sipas marrëveshjes i kanë dorëzuar te të akuzuarit Dragoslav Igrutinoviq dhe Boban Raojkoviq, të cilët duke bashkëpunuar me të akuzuarit e tjerë në cilësi të personave zyrtarë i kanë kontrabanduar në Kosovë përmes rrugëve ilegale.

Sipas Prokurorisë, për këto shërbime të akuzuarit nga tregtarët janë paguar në shumën prej 50 euro dhe 60 euro për një kafshë, ndërsa për bartjen e vetëm një kafshe kanë marrë deri në 35 euro.