Dështon mocioni i PDK-së për debat parlamentar lidhur me energjinë

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka propozuar debat për gjendjen me energjinë elektrike duke paraqitur për votim një mocion procedural, por me 57 vota kundër Kuvendi nuk e ka miratuar këtë mocion.

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri tha se një çështje e tillë është urgjente.

“Këtë debat nuk e kemi menduar për sot, por duke pasur parasysh sot prezantimin e kryeministrit dhe qeverisë se Kosovës konsiderojmë që një çështje e tillë është vërtetë urgjente. Kur kryeministri u drejtohet qytetarëve, ku t`i gjej unë 2 milionë për të paguar këtë ndryshim, dhe kur s’jep asnjë sqarim dhe shihet se vendi po shkon drejt një shtrenjtimi të energjisë, kosto e pa përballueshme, unë mendoj që nuk ka çështje më të rëndësishëm sot sesa të kemi në debat”, ka thënë ai.

Ndërsa kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje tha se si grup parlamentar nuk e mbështesin këtë mocion.

“Sot është i caktuar një debat parlamentar që ka të bëjë me rritjen enorme të çmimeve I propozuar nga një grup parlamentar tjetër. Në rast se në kuadër të atij debate deshironi të përfshini pjesë, komponentë, diskutime për ngritjen e çmimit të energjisë atëherë mundet të diskutojmë”, tha Mimoza Kusari- Lila.

Arben Gashi kryetar i grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se LDK konsideron të rëndësishme dhe e mbështet këtë mocion procedural.

Ndërsa Besnik Tahiri nga grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se nëse nuk votohet ky mocion, debati për energjinë do të përfshihet në debatin e caktuar për rritjen enorme të çmimeve.

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka kërkuar sot gjatë seancës që ta kthejë në pikën zero raportin e ZRrE-së për rikthimin e bllok tarifave të energjisë.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë pak ditë më parë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Tarifat për biznese dhe 600 kilovatet e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë. Kurse, tarifa për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kWh është dyfishuar.