PDK-së kërkon ta kthejë në pikën zero raportin e ZRrE-së për energjinë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka thënë se grupi parlamentar i kësaj partie kërkon që ta kthejë në pikën zero raportin e ZRrE-së për rikthimin e bllok-tarifave të energjisë.

“Kërkojmë nga Qeveria dhe nga ky kuvend që ta kthejmë në pikën zero këtë raport bashkërisht të gjithë në interesat ë qytetarëve të vendit, të taksapaguesve, të ekonomisë”, ka thënë Shala.

Shala ka thënë se PDK do të kundërshtojë këtë raport.

“Do të kundërshtojmë në të kundërtën e asaj që propozojmë këtë raport dhe kërkojmë nga sot që të filloj një debat i hapur për tarifat e energjisë nëse e kthejmë në pikën zero nga sot. Ne në të kundërtën nuk do të pajtohemi dhe jemi kundër në gjithë aspektin dimensional, nëse veprohet kështu më këtë këmbëngulje ne pasojat do t`i bartim të gjithë por veçanërisht qeveria Kurti do të jap përgjegjësi”, ka shtuar Shala.

Ai ka thënë se në një shkallë ka ngritje të inflacionit por Qeveria nuk ka paraparë ngritje të pagave në shumë kategori.

“Qeveria nuk ka paraparë ngritje të pagave për shërbyesit civil, për punëtorët e arsimit, për policinë, ushtrinë, për sektorin e shëndetësisë të cilët tash e dy vite vepron në kushte pandemie, nuk ka paraparë ngritjen e pagesa minimale përjashto këtu një lojë denigruese në emër të ngritjes së pensioneve”, ka thënë ai.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë pak ditë më parë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Tarifat për biznese dhe 600 kilovatet e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë. Kurse, tarifa për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kWh është dyfishuar.

Janë afër 200 mijë familje që gjatë sezonit të dimrit preken nga rritja e çmimit të rrymës.