Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku Rexhepi, Foto: Facebook

Deputetja e LDK-së e quan të pafalshme deklaratën e ministres Hajdari për CEFTA-n pa "Republika e Kosovës"

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Valentina Bunjaku-Rexhepi e ka quajtur të pafalshme, deklaratën e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Kjo e fundit në emisionin “Kallxo Përnime” përmendi ekzistencën e një draft-letre përmes së cilës Qeveria do t’i drejtohet sekretariatit të marrëveshjes për tregtinë e lirë – CEFTA, për të kërkuar që Kosova të mos prezantohet më me UNMIK-un.

Hajdari mes tjerash tregoi se në atë letër nuk e kanë përmendur emërtimin “Republika e Kosovës”, me arsyetimin për t’iu përshtatur marrëveshjes së Brukselit.

Ndërsa deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se duhet kujtuar qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje në të kaluarën kur kundërshtonte fusnotën për Kosovën.

“Deklarata dhe veprimi i saj është i pafalshëm, pasi duhet të kujtojmë protestën e organizuar me përleshje të policisë, kur është mbajtur nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila kishte pankartën kryesore me mesazh: ‘Poshtë fusnota’! Edhe ne tash ia kthemi me një parullë: ‘Poshtë përfaqësimi pa Kosovën Republikë’”, thuhet në përgjigjen e saj për KALLXO.com.

Deputetja opozitare ka kritikuar qeverisjen e Vetëvendosjes.

“Kjo Qeveri është degradim i qeverisjeve të deritashme, pasi që krejt atë që e kanë kundërshtuar dikur, herë në mënyrë të qetë, e herë duke u përplasur me policinë e deputetët e Kuvendit të Kosovës, po e miratojnë në tërësi, madje duke lëshuar pe edhe shumë më shumë se Qeveritë e kaluara”, shtoi ajo.

Bunjaku- Rexhepi thekson se LVV dhe qeveria duhet t’u kërkojë falje protestuesve.

“Pra, LVV dhe Qeveria duhet t’i kërkojnë falje të gjithë atyre protestuesve që kishin brohoritur ‘Poshtë fusnota’, e të cilën protestë e kishin organizuar atëherë kur ishte arritur marrëveshja që Kosova të përfaqësohet në nismat rajonale me fusnotë. Kosova pa shënjuesin ‘Republikë’, është vend, por jo shtet”, theksoi tutje ajo.

Sipas saj, heqja e fjalës Republikë është vetëshfuqizim i pavarësisë së Kosovës.

“Madje, pa Republikë, i bie se ka shkuar edhe më poshtë se Krahina Socialiste Autonome e Kosovës e vitit 1974, sepse ajo kishte një status më të avancuar se më herët, njëfarë pavarësie e cunguar brenda sistemit federativ jugosllav, ndërsa kjo pa Republikë, na kthen shumë dekada më parë, kur mezi njiheshim si shtet dhe njësi e veçantë administrative/territoriale”, thuhet në reagimin e saj.

“Kosova pa Republikë, heqja e Republikës, është vetësuprimim në letër, vetëshfuqizim i Pavarësisë së Kosovës. Po del hipokrizia në sipërfaqe. Atë që e kundërshtuan, tash edhe veç e degraduan më shumë. Po na heqin ‘Republikën’, qoftë edhe në letër dhe përfaqësim rajonal”, vijon përgjigja e deputetes.

Në lidhje me deklaratën e ministres Hajdari, ka folur edhe kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala.

Në një prononcim për KALLXO.com, Shala tha se përderisa nuk ka diçka të dokumentuar nuk beson në atë se çfarë thotë ministrja “për aspekt propagandistik”.

“Derisa ministrja nuk na ka ofruar asgjë të shkruar dhe të argumentuar, unë nuk besoj në ato çka thotë para opinionit për aspekt propagandistik dhe më shumë populizëm”, tha deputeti opozitar për KALLXO.com.

I pyetur nëse e shohim si skandaloze deklaratën, Shala ka thënë se “nuk e ka dëgjuar dhe nuk mund të thotë diçka përderisa nuk ka diçka të shkruar”.

Ministrja Hajdari kishte deklaruar se e kanë të përgatitur një “draft-letër”që ende s’e kanë dërguar, për të larguar prezantimin e Kosovës përmes UNMIK-ut në CEFTA.

“Në letër kemi shkruar kështu: Gjersa UNMIK-u nuk ka ndonjë rol ekzekutues, Kosova tash e tutje do të prezantohet vet. Aty as nuk kemi shkruar Republikë e Kosovës, as nuk kemi shkruar UNMIK-u bën e s’bën, por vetëm të prezantojmë që tash e tutje ne do të prezantohemi vet”, tha mes tjerasha ajo.