Mospërmendja e 'Republika e Kosovës' në draft-letrën e Qeverisë për CEFTA-n, flasin nga PDK

Dy ditë më parë, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në emisionin “Kallxo Përnime” përmendi ekzistencën e një draft-letre përmes së cilës Qeveria do t’i drejtohet sekretariatit të marrëveshjes për tregtinë e lirë – CEFTA, për të kërkuar që Kosova të mos prezantohet më me UNMIK-un.

Hajdari mes tjerash tregoi se në atë letër nuk e kanë përmendur emërtimin “Republika e Kosovës”, me arsyetimin për t’iu përshtatur marrëveshjes së Brukselit.

Në lidhje me këtë deklaratë, ka folur kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala.

Në një prononcim për KALLXO.com, Shala tha se përderisa nuk ka diçka të dokumentuar nuk beson në atë se çfarë thotë ministrja “për aspekt propagandistik”.

“Derisa ministrja nuk na ka ofruar asgjë të shkruar dhe të argumentuar, unë nuk besoj në ato çka thotë para opinionit për aspekt propagandistik dhe më shumë populizëm”, tha deputeti opozitar për KALLXO.com

I pyetur nëse e shohim si skandaloze deklaratën, Shala ka thënë se “nuk e ka dëgjuar dhe nuk mund të thotë diçka përderisa nuk ka diçka të shkruar”.

Ministrja Hajdari kishte deklaruar se e kanë të përgatitur një “draft-letër”që ende s’e kanë dërguar, për të larguar prezantimin e Kosovës përmes UNMIK-ut në CEFTA.

“Në letër kemi shkruar kështu: Gjersa UNMIK-u nuk ka ndonjë rol ekzekutues, Kosova tash e tutje do të prezantohet vet. Aty as nuk kemi shkruar Republikë e Kosovës, as nuk kemi shkruar UNMIK-u bën e s’bën, por vetëm të prezantojmë që tash e tutje ne do të prezantohemi vet”, tha mes tjerasha ajo.