Deputeti Goncharenko në Kuvend: Ukraina duhet ta njohë shtetin e pavarur të Kosovës

Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko është prezent sot në seancën e Kuvendit të Kosovës ku edhe ka mbajtur një fjalim përmes të cilit ka berë thirrje që Ukraina të njohë sa më parë shtetin e pavarur të Kosovës.

Ai ka thënë se Kosova është Evropë dhe se do të bëj çfarëdo që mundet për të ndihmuar në këtë aspekt.

“Ukraina duhet ta njoh Kosovën si shtet i pavarur sepse ju luftuat për këtë gjë. Do të bëj çfarëdo që mundem të iu ndihmoj në këtë. Kosova është Evropë, unë besoj në këtë dhe do ta përfundojmë bashkë këtë”, ka thënë Goncharenko para deputetëve të Kuvendit.

Goncharenko tutje krahasoi luftën për pavarësi të Kosovës me atë çfarë po ndodh sot në Ukrainë.

“Disa ushtarë ukrainas kanë vdekur në Kosovë në kuadër të misionit KFOR-it, ata kanë qenë duke luftuar për sigurinë e Kosovës dhe Evropës. Ne ndihemi të ngjashëm sepse fatkeqësisht Kosovë ka qenë pjesë e gjenocidit. Njerëzit e Kosovës luftuan për pavarësinë dhe ne po luftojmë për pavarësi jo për herë të parë në 100 vitet e fundit por kësaj here do të fitojmë”-ka thënë ai.

Tute ai premtoi mbështetje që Kosova të bëhet anëtare me të drejta të plota në Këshillin e Evropës, aty ku ka aplikuar këtë vit.

Deputeti ukrainas ka thënë para deputetëve të Kosovës se duhet të ketë kujdes të shtuar pasi Rusia po përpiqet të destabilizojë Ballkanin Perëndimor.

Deputeti i Parlamentit të Ukrainës, Oleksiy Goncharenko po qëndron në Kosovë, me ç’rast ka folur edhe para kolegëve të tij deputetë kosovarë.

Kuvendi i Kosovës, punimet e sotme i nisi me një minutë heshtje për viktimat e luftës në Ukrainë.

Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, gjatë fjalimit të tij në Asmblenë e Këshillit të Evropës para pak javësh kishte bërë thirrje që Kosova të njihet nga të gjitha shtetet e Këshillit të Evropës.

Goncharenko e ka përfunduar fjalimin e tij në këtë asamble në gjuhën shqipe duke thënë “Kosova është Evropë”.

Ai bëri të ditur se e ka sponsoruar Projektligjin në parlamentin ukrainas për të njohur pavarësinë e Kosovës.

Deputeti ukrainas mban fjalim në Kuvendin e Kosovës, seanca nisi me një minutë heshtje