Deputetët nuk qëndrojnë në sallën e Kuvendit, ndërpritet seanca

Në mungesë të deputetëve, Kuvendi i Kosovës ka mbyllur seancën e sotme në të cilën janë diskutuar 10 prej 12 pikave të rendit të ditës e do të duhej të diskutoheshin edhe 2 të mbeturat.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, tha se seanca do të vazhdojë nesër nga ora 15:00.

“Meqenësë dy pikat e fundit të rendit të ditë janë tema të ndjeshme dhe kërkojnë një numër më të madh deputetësh, po e ndërprejmë seancën për të vazhduar nesër pas orës 15:00, pasi deri në atë kohë edhe komisionet i përfundojnë mbledhjet e tyre”, ka thënë ajo.

Kuvendi pritet që nesër të diskutojë për dy pikat e mbetura nga seanca e sotme, atë që ka të bëjë me “vazhdimin nga Qeveria e Serbisë që të mbajë të fshehur të vërtetën për fatin e mbi 1,600 civilëve shqiptarë, të rrëmbyer nga ky shtet gjatë luftës gjenocidare në Kosovë, që ende konsiderohen të zhdukur” dhe me “sensibilizimin dhe masat që duhet të ndërmerren nga Qeveria dhe institucionet përgjegjëse në luftën kundër kancerit të gjirit”.