Dënim me kusht dhe plotësues ndaj komisioneres së akuzuar për manipulim të rezultateve në zgjedhje

 

Gjatë ditës së djeshme, Flutra Beqiri e ngarkuar me akuzën e falsifikimit të rezultateve të votimeve, ishte deklaruar e fajshme.

Sot, ndaj saj,  gjykatësi Drilon Haraçia shpalli dënimin me burgim prej 1 viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën prej 2 viteve nuk kryen vepër tjetër penale.

Përveç kësaj, gjykata ia ka shqiptuar edhe dënimin plotësues ndalimin apo heqjen e të drejtës për t`u zgjedhur dhe ndalimi i ushtrimit të profesionit, i veprimtarisë ose detyrës, ashtu që i ndalohet e drejta për t`u zgjedhur si kandidate në zgjedhjet Lokale apo Qendrore të Republikës së Kosovës, po ashtu i ndalohet ushtrimi i detyrës që të merr pjesë si vëzhguese, kryesuese, komisionere apo pozita të tjera të organizuara nga KQZ-ja në kohëzgjatje prej 4 viteve.

Prokuroria e Gjakovës, e akuzonte Beqirin se si kryesuese e komisionit zgjedhor, kishte keqpërdorur pozitës e saj duke shënuar rezultate të pasakta.

Dje, ajo tha se është penduar për këtë vepër penale dhe e njëjta premtoi se nuk do të kryej më vepra të tilla.

Sipas aktakuzës, në tetor të vitit 2017, në shkollën fillore “Isa Boletini” në Rahovec pas mbylljes së vendvotimeve ka regjistruar në mënyrë të pasaktë rezultatet e zgjedhjeve në dokumentet zgjedhore.

Në aktakuzë thuhet se e akuzuara në cilësi të kryesueses së komisionit zgjedhor, ka regjistruar në mënyrë të pasaktë, ku brenda një subjekti politik ka hequr votat e disa kandidatëve dhe ka shënuar disa kandidatë të tjerë, duke regjistruar në mënyrë jo të saktë 158 vota, prej tyre 96 të shtuara dhe 62 vota të hequra, me ç’rast i ka dëmtuar kandidatët e ndryshëm brenda subjekteve politike për zgjedhjet lokale.