Dënim me kusht dhe plotësues për të akuzuarin për keqpërdorim të votave

Shefqet Zogaj, i akuzuar për falsifikim të rezultateve të zgjedhjeve të vitit 2017, ishte deklaruar i fajshëm dhe ndaj të njëjtit sot u shpall aktgjykimi.

Ai u dënua me burgim prej 1 viti, me kusht që brenda 2 viteve, të mos kryej vepër tjetër penale.

Përveç kësaj, gjykata i ka shqiptuar edhe dënimin plotësues, ndalimin apo heqjen e të drejtës për t`u zgjedhur dhe ndalimi i ushtrimit të profesionit, i veprimtarisë ose detyrës, ashtu që i ndalohet e drejta për t`u zgjedhur si kandidat në zgjedhjet lokale apo qendrore të Republikës së Kosovës, po ashtu i ndalohet ushtrimi i detyrës që të merr pjesë si vëzhgues, kryesues, komisioner apo pozita të tjera të organizuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në kohëzgjatje prej 4 viteve.

Ai kishte thënë që ka rënë pre e manipulimeve.

https://kallxo.com/lajm/dy-te-akuzuarit-per-keqperdorimin-e-rezultateve-te-votimit-njeri-e-pranon-tjetri-e-mohon/

Sipas aktakuzës, në qershor të vitit 2017, në fshatin Burim të komunës së Malishevës, pas mbylljes së vendvotimeve, Zogaj si kryesues i Komisionit Zgjedhor në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, në shkollën “18 Prilli”, kishte regjistruar votat në mënyrë jo të saktë brenda një subjekti politik, duke hequr votat e disa kandidatëve dhe shtuar disa kandidatë tjerë, duke keqpërdorur 86 vota, nga to 66 vota të shtuara dhe 20 vota të hequra, veprime këto që i kanë dëmtuar kandidatët e ndryshëm brenda subjekteve politike.