Deliu – Kodra: Qeveria mbremë miratoi dy ligje që cenojnë rëndë luftën tonë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu- Kodra deklaroi se dje në Kuvendin e Kosovës kanë kaluar dy projektligje që cenojnë luftën për liri, duke ju referuar Ligjit për Pagën minimale dhe atij për Institutin e Krimeve të kryera gjatë Luftës në Kosovë.

Deliu-Kodra tha se përmes këtyre ligjeve në njërën anë përjashtohen veteranët e UÇK-së nga përfshirja në pagën minimale dhe në anën tjetër, me themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, kanë zgjatur afatin kohorë të hetimit deri më 31 dhjetor të vitit 2000.

Sipas saj, përmes këtyre ligjeve, Qeveria i ka përforcuar akuzat kundër UÇK-së.

“Kryeministri Kurti ka mashtruar në deklarimin e tij publik mbrëmë, duke iu drejtuar qytetarëve se kohëzgjatja e hetimit të këtij instituti shtrihet vetëm gjatë luftës në Kosovë, 98-99. Ky është një mashtrim i radhës. Kryeministri deklarohet në Facebook ndryshe, ndërsa, në fakt, kohëzgjatja e hetimit të këtyre krimeve është deri në 31 dhjetor të vitit 2000” – ka thënë Deliu – Kodra.

Koordinatori i Departamentit për Financa në kuadër të KQM-së, Arben Mustafa, e ka quajtur vendim tjetër skandaloz përjashtimin e veteranëve nga rritja sado e vogël e pagës minimale.

“Qeveria e Kosovës me vendimin për përjashtimin e veteranëve nga rritja e pagës minimale po konstaton se për një familje kosovare që ka një të punësuar nuk mjafton një pagë minimale prej 170 euro për t’i plotësuar nevojat bazike të jetesës por i duhen 264 euro, ndërsa një familje e veteranit të UÇK-së duhet të mjaftohet me 170 euro” – tha Mustafa.

Mbrëmë pas tensioneve, Kuvendi i Kosovës me 60 vota për dhe një abstenim, arriti të miratoi Ligjin për pagën minimale.

Sipas këtij Ligji paga minimale do të bëhet 264 euro.

Ky Projektligj në parim është miratuar një vit më parë, përkundër protestave të organizuara nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kërkonin përfshirjen e tyre në Projektligjin për pagat.

Veteranët kanë protestuar për të kundërshtuar mospërfshirjen e tyre në Projektligjin për pagat.

Nëpërmjet Projektligjit paga minimale është propozuar të rritet nga 170 euro në 264 euro.

Partitë opozitare, LDK, PDK dhe AAK janë larguar nga seanca e Kuvendit.