Dedaj në Hagë: Deklaratat e mia ndaj Thaçit kanë qenë të panevojshme dhe të ekzagjeruara

Në nëntor të vitit 2022, Gjergj Dedaj ka pretenduar se ka dërguar një letër Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ku ka njoftuar se distancohet nga të gjitha deklaratat e tij të mëhershme ndaj Thaçit.

Ish-ambasadori i Kosovws në Maqedoninë e Veriut, Dedaj po vazhdon dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ai të mërkurën u shpreh se deklaratat e tij të mëhershme kanë qenë më shumë të përdorura për qëllime politike.

“E kam dhënë një deklaratë në 2011 për koalicionin. Kam thënë se në mënyrë të padrejtë Hashim Thaçi me ka torturuar. Nuk është e vërtetë, sepse Hashim Thaçi nuk më ka torturuar, e nuk është korrekt domethënë sepse nuk me ka torturu. Janë thënë shumë gjera, shumë deklarata në mes konferencës së shtypit dhe asaj çfarë thamë sot. Kanë qenë deklarata me shumë të fushatave, të situatave tona politike. Dua të distancohem nga ato se çfarë kam thënë në atë program se kam qenë në gjendje të rëndë shpirtërore” – thuhej në letër të cilën e lexoi avokati Luka Mishetiq, avokat i Hashim Thaçit.

Kurse Dedaj bëri të ditur se arsyeja që distancohet nga këto ka qenë për shkak se ato janë thënë për hakmarrje dhe se deklaratat e tij ishin të pamatura, të panevojshme dhe tejet të ekzagjeruara.

“Asnjëherë gjatë këtyre intervistave nuk kam pas as avokat, as këshilltar me u këshillu me dikë. Nuk kam pas ide dhe këto kanë qenë fjalë që shpeshherë i kam gjujtë, por në letrën e vitit të kaluar të nëntorit 2022, unë kam bërë një letër këtyre dhomave të respektume e domethënë që unë distancona. Dhe mënyra se pse unë jam distancuar është që këto kanë qenë deklarata të dhana për hakmarrje, revanzh, shpesh gjërat i kam harru. Jam ulë dhe kam mbledhë fakte, kam shku edhe në Qirez, kam shku edhe në Drenicë, kam shku edhe gjithandej Kosovës që me e ditë kush kanë qenë ata 4-5 huliganët, dhe kam ardh në përfundim se kam bërë deklarata të pamatura, të panevojshme, të ekzagjeruar” – ka deklaruar ai.

Luka Mishetiq, avokati Hashim Thaçit ka përfunduar pyetjet ndaj Dedajt. Gjykimi po vazhdon me marrjen në pyetje nga mbrojtja e Rexhep Selimit.

Dedaj është ftuar javën e kaluar në cilësinë e dëshmitarit në procesin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Ai ka filluar të hënën dëshminë para trupit gjykues në Hagë ku i është përgjigjur pyetjeve të prokurores dhe mbrojtjes të cilat kishin të bënin kryesisht me ngjarjen që kishte ndodhur në Qirez të Drenicës në vitin 1998.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.