Foto: KALLXO.com

Dëbimi me dhunë i qytetarëve nga Prishtina, dy dëshmitarë dëgjohen në gjykimin e Dushko Arsiqit për krime lufte

Në Gjykatën e Prishtinës ka vazhduar gjykimi i Dushko Arsiqit, serbit të akuzuar për krime lufte ndaj popullatës civile.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, Dushko Arsiq së bashku me pjesëtarë të tjerë të Policisë serbe dhe grupe paramilitare, në periudhën e luftës, më saktësisht në muajt janar-qershor 1999, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Prishtinës.

Sipas dosjes së Prokurorisë, në prill të vitit 1999, i akuzuari ka ndaluar dhe ka goditur me tytë të armës të dëmtuarin Artan Krasniqi, i cili në atëkohë ishte 15-vjeçar, e më pas bashkë me anëtarë të tjerë të Policisë serbe kanë vazhduar ta maltretojnë dhe keqtrajtojnë fizikisht si dhe psiqikisht.

Aktakuza shtjellon se aty ishte vrarë një person tjetër, kufomën e të cilit i akuzuari kishte detyruar të dëmtuarin ta mbante.

Gjatë seancës së sotme trupi gjykues me kryetar Vesel Ismailin dhe me gjyqtaret anëtare Suzana Çerkini dhe Violeta Namani, morën në pyetje dy dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria, Azem Krasniqin dhe Sherif Vrajollin.

Dëshmitari i parë rrëfeu se derisa ka qenë në shtëpinë e tij në fshatin Butovc, në mëngjes ka ardhur i dëmtuari Arton Krasniqi, i cili është futur në shtëpi me ç’rast kishte treguar se ishte rrahur nga Policia serbe.

“Ka qenë në gjendje të rrahur, i trishtuar dhe shumë i frikësuar” – kështu u shpreh i njëjti për gjendjen në të cilën e kishte parë të dëmtuarin.

Në pyetjen e prokurorit Atdhe Dema, dëshmitari i parë u përgjigj se i dëmtuari në ditën kritike kishte përmendur një person me emrin Dushko, mirëpo nuk është në dijeni se a e ka pasur fjalën për të njëjtin Dushko të cilit i vihet në barrë akuza.

Po ashtu në dëshminë e tij ai përmendi se kishte marrë vesh nga i dëmtuari se pasi ishte rrahur nga Policia, i njëjti ishte ngarkuar me një kufomë të cilën ishte udhëzuar ta dërgonte tek varrezat dhe të njoftonte anëtarët e UÇK për këtë vrasje si formë paralajmërimi.

Pas dëgjimit të dëshmitarit të parë trupi gjykues mbajti 5 minuta pauzë.

Me të kthyer në sallën e gjykimit, avokati mbrojtës i të akuzuarit, Nebojsha Abllaiq, ka deklaruar se gjatë pauzës në korridor ka vërejtur se i dëmtuari ka qenë duke biseduar me dy dëshmitarët, pra para se dëshmitari i dytë të dëgjohet.

Lidhur me këtë, i dëmtuari dhe dëshmitari Sherif Vrajolli i janë kundërpërgjigjur mbrojtësit se vetëm kanë qenë të ulur pranë njëri-tjetrit, e se nuk janë takuar kurrë më parë.

Tutje, në foltore u prezantua dëshmitari i dytë, Sherif Vrajolli.

Ky i fundit deklaroi se të akuzuarin e ka pasur fqinj për një kohë të gjatë.

Në pyetjet e prokurorit të rastit, dëshmitari deklaroi se në lagjen e tyre kanë qenë një grup i të rinjve të cilët rregullisht janë mbledhur, kanë lëshuar muzikë me zë të lartë, kanë pirë dhe kanë gjuajtur me armë zjarri me ç’rast kanë shkaktuar frikë dhe panik në mes popullsisë.

E pjesë e këtij grupi kishte qenë edhe i akuzuari Dushko Arsiq.

Dëshmitarit me pyetje iu drejtua edhe vetë i akuzuari.

“Dorën në zemër, nuk ke qenë edhe bash i rehatshëm” – ka qenë përgjigjja e Krasniqit, kur i akuzuari e pyeti se ai vetë a ka qenë problematik.

Me kaq u mbyll seanca e sotme, kurse seanca e radhës u caktua për më 6 qershor.