I dyshuari për vrasjen e 18 veçares në Ferizaj, Dardan Krivaça

Dardan Krivaqa dënohet me 8 muaj burgim për veprën penale të detyrimit

Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me 8 muaj burgim Dardan Krivaqën për veprën penale të detyrimit.

Sipas aktgjykimit, Krivaqa akuzohet se më  14 nëntor 2012, në Ferizaj me forcë dhe kërcënim e ka detyruar të dëmtuarin B.Q. t’i japë gjëra të ndryshme materiale.

Gjykata ka theksuar tutje se i pandehuri D.K. akuzohet se më datë 14 nëntor 2012, në Ferizaj, me qëllim që vetes t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme, me forcë dhe kërcënim serioz e ka detyruar të dëmtuarin B.Q., të veproj në dëme të pasurisë së tij, në atë mënyrë që përmes kërcënimit se: “ka me të mbyt ty, nënën dhe baban nëse nuk më jep para”, ashtu që ky kërcënim ka shkaktuar shqetësim dhe ankth te i dëmtuari dhe i njëjti është detyruar që të veproj kundër pasurisë së tij, dhe të pandehurit t`i jap: këpucë, dy playstation dhe gjëra të tjera të ndryshme materiale”.

Sipas Gjykatës, kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. “Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt”.

Krivaqa është gjithashtu i dyshuar për vrasjen e Marigona Osmanit në gusht të vitit 2021.

I akuzuari Dardan Krivaqa dyshohet se në mënyrë mizore, kishte vrarë të ndjerën Marigona Osmani duke ushtruar dhunë psikike dhe fizike derisa ajo kishte ndërruar jetë.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Krivaqa, më 22 gusht 2021, ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj tashmë të ndjerës Marigona Osmani, me çka në bashkëkryerje edhe me të dyshuarin Arbër Sejdiu (i cili gjendet në paraburgim), kanë kryen këtë vepër penale.

Sipas dosjes së Prokurorisë, i dyshuari Krivaqa, për motive të ulëta me dashje, ka ushtruar mizorisht dhunë fizike mbi viktimën, derisa ajo ka ndërruar jetë.

Gjithashtu sipas Prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Arbër Sejdiu, më 22 gusht 2021, gjatë gjithë kohës ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes kur i pandehuri tjetër Dardan Krivaqa, ka ushtruar dhune psikike dhe fizike ndaj tashmë të ndjerës dhe me këtë rast i njëjti (Arbër Sejdiu) ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në kryerjen e veprës penale, në vdekjen e të ndjerës.

Sipas Prokurorisë të dyshuarit më pas të njëjtën e dërgojnë dhe e lënë në Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj, pa shenja jete, ndërsa ikin në drejtim të panjohur.
Në dosjen e prokurorisë për rastin e vrasjes së 18 vjeçares theksohet se ajo u keqtrajtua mizorisht dy ditë radhazi deri në vdekje.

“Ekziston dyshimi i bazuar se më 22 gusht 2021, rreth orës 15:00, në rrugën “Ramdan Rexhepi”, në Ferizaj, në banesën e të pandehurit Dardan Krivaqa, me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta e keqtrajtuar viktimën”, thuhej në vendimin e caktimit të paraburgimit për të dyshuarit Krivaqa e Sejdiu.

Sipas dosjes së Prokurorisë një natë më parë, dhuna fizike dhe psiqike kishte filluar ndaj viktimës nga Krivaqa. Motivet sipas prokurorisë ishin xhelozie. Gjatë gjithë kohës në banesë kishte qenë edhe Arbër Sejdiu por që i njëjti nuk kishte marrë asnjë veprim, por i njëjti dyshohet se kishte marrë pjesë në dhunën psiqike e fizike ndaj viktimës.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Dardan Krivaqa, më 22 gusht 2021, ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj tashmë të ndjerës Marigona Osmani, me çka në bashkëkryerje edhe me të dyshuarin Arbër Sejdiu, kanë kryen veprën penale ‘Vrasja e rëndë’.

18-vjeçarja, Marigona Osmani e cila u dërgua pa shenja jete në emërgjencën e Spitalit të Ferizajt, u varros më 24 gusht, ditën kur u arrestua edhe personi i dytë që dyshohet se vrau atë.

Dardan Krivaqa, i dyshuari kryesor për vrasjen e 18 vjeçares në Ferizaj, sipas evidencave të Gjykatës Themelore të Ferizajt ka qenë i dënuar me vendim të formës së prerë plotë 9 herë.

Raportimet e KALLXO.com për rastin e vrasjes së Marigona Osmanit, i gjeni në këtë LINK. 

Vrasja e 18 vjeçares, krejt çka dihet për rastin dhe të kaluarën e të dyshuarve